Një person misterioz, i cili prezantohet si A. Siarina, por në të njëjtën kohë përdor një letërnjoftim me emrin L. Bilalli, po përpiqet të krijojë një fasadë të besueshme duke luajtur me identitete të dyfishta.
Ai pretendon të jetë nga Gjilani, por pas këtij emri të dyshimtë fshihet dikush që deri më tani mbetet i panjohur, raporton Kiks Kosova.
Ky individ po shet të ashtuquajturat “kartela të bardha”, të cilat supozohet se përmbajnë mijëra euro, por mund të blihen me një çmim shumë të ulët.
Premtimi i fitimeve deri në 50-fish e bën këtë ofertë joshëse – por edhe tepër të dyshimtë.
Në realitet, kjo duket si një skemë mashtrimi që synon të mashtrojë njerëzit duke shfrytëzuar lakminë për përfitime të lehta. Kur diçka tingëllon shumë e mirë për të qenë e vërtetë, zakonisht është një grackë.
Hetimet e ekipit të Kiksit për këtë mashtrues, i cili shet kartela të dyshimta në rrjetet sociale, na çuan drejt disa të dhënave të rëndësishme që e demaskojnë atë.
Ai e ka kontaktuar redaksinë e Kiksit duke pretenduar se është person i besueshëm, madje ka dhënë edhe një numër telefoni.
Por, sipas informacioneve që emisioni ka mbledhur, ky numër është i regjistruar nën një emër krejt tjetër – Ardi Prizren – duke e bërë të qartë se ai përdor identitete të rreme për të fshehur gjurmët. /Klankosova.tv