Kryeministri Albin Kurti zotohej për rimëkëmbje të kombinatit “Trepça”. Mirëpo, kjo është larg asaj çfarë ishte zotuar tashmë shefi i Qeverisë. Në një reagim të ndërmarrjes publike, përmendet edhe rreziku për mosfunksionim të saj në të ardhmen.
Trepça ka lëshuar një reagim, ku ka bërë të ditur se vetëm në fazën e parë të lëndëve përmbaruese që punonjësit e Trepçës kanë fituar kundër ndërmarrjes janë përafro gjysmë milioni euro, shkruan Insajderi.
“Bllokadat përmbarimore të iniciuara nga punonjësit e Trepça SH.A kanë ndikuar ndjeshëm në përkeqësimin e gjendjes financiare të ndërmarrjes, duke vështirësuar pagesën e pagave për muajin shkurt dhe përmbushjen e detyrimeve të tjera financiare. Aktualisht, kjo është vetëm faza e parë e këtyre lëndëve, ndërsa në proces të pagesës është shuma prej 475,498.00 €, e cila përfshin:
Obligimet ndaj punonjësve – 347,047.00 €
Shpenzimet përmbarimore – 37,299.00 €
Shpenzimet e avokatëve – 91,152.00 €”, thuhet në reagimin e Trepçës.
Trepça ka thënë se situata e krijuar paraqet rrezik serioz për funksionimin e mëtejshëm të ndërmarrjes.
“Për shkak të gjendjes së rëndë financiare, Trepça SH.A u bën thirrje të gjithë punonjësve të përfshirë që të paraqiten pranë menaxhmentit për arritjen e një marrëveshjeje. Në të kundërtën, rrezikohet likuiditeti i ndërmarrjes dhe funksionimi i saj në të ardhmen“, përfundon reagimi.