Gjykata e Gjakovës sot e ka shpallur fajtor dhe e ka dënuar me 6 muaj burgim të akuzuarin Rexhep Kadrushi.
Kadrushi, si përgjegjës për sigurinë dhe shëndetin në punë akuzohej se nuk i ka siguruar mjetet e punës me ç’rast i dëmtuari Mentor Ramadani ka rënë nga lartësia e objektit mbi 8 metra dhe ka pësuar lëndime të rënda trupore.
Nga gjykata sot i është shqiptuar 6 muaj burgim, mirëpo, avokati i të akuzuarit ka propozuar që ky dënim të shndërrohet në gjobë, dhe jam i bindur se kështu do të jetë”, ka deklaruar Qosja.
Tutje ai arsyetoi se si pasojë e kualifikimit të veprës penale mund të shpie deri te ndryshimi i vendimit në gjobë.
“Gjykata pa asnjë lloj prove e ka ndryshuar kualifikimin e veprës penale në mënyrë që ta shqiptojë dënimin deri në 6 muaj burgim e pas kësaj këtë masë me propozimin e palëve ta shndërrojë në gjobë”, është shprehur avokati.
Qosja ka shprehur pakënaqësi sa i përket shqiptimit të dënimit ku ka sqaruar se do të paraqesë ankesë në Gjykatën e Apelit.
Në anën tjetër, Teki Bokshi, mbrojtësi i të akuzuarit, deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka qenë i qasshëm që të deklarohet.
Sipas Prokurorisë, Rexhep Kadrushi më 10 nëntor 2016, në vendpunishten e kompanisë “Jatex” në Gjakovë, si përgjegjës për sigurinë dhe shëndetin e punëtorëve në vendin e punës, akuzohet se shkeli ligjin për sigurinë dhe shëndetin në punë pasi nuk i siguroi pajisjet mbrojtëse në vendin e punës dhe rrezikoi jetën e njerëzve.
Tutje, aktakuza thotë se derisa i dëmtuari Mentor Ramadani, llamarinë-punues në firmën “ABI”, pronë e të akuzuarit duke bartur një panel – lastër, në një largësi prej 20 metrave, me peshë rreth 200 kg dhe gjatësi mbi 8 metra, pa pajisje mbrojtëse dhe duke ecur në një hekur me gjerësi 50 centimetra, humbi drejtpeshimin dhe rrëshqit duke rënë nga një lartësi prej 8 metrash në beton. Nga kjo rënie ai ka pësuar lëndime të rënda trupore të përshkruara në ekspertizën mjeko-ligjore.
Me këtë, i akuzuari akuzohet se ka kryer veprën penale asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës.