Sot gjatë ditës, Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, ka dorëzuar zyrtarisht aplikimin për anëtarësimin në Këshillin e Evropës.
Pas aplikimit, vetë Gërvalla është shprehur se me këtë aplikim është hapur një kapitull i ri për Kosovën, shkruan lajmi.net
“Sapo dolëm nga takimi me zëvendëssekretarin e përgjithshëm të Këshillit të Evropës. Në emër të Republikës së Kosovës dorëzuam kërkesën për anëtarësim në Këshill të Evropës. Sot hapet një kapitull i ri për Kosovën në Këshillin e Evropës, sot fillon procedura e shqyrtimit të kërkesës sonë e cila do të kalojë nëpër instanca të ndryshme të Këshillit të Evropës, të Asamblesë Parlamentare dhe Këshillit Ministrorë”, ka thënë Gërvalla.
E diçka e tillë, pra aplikimi i Kosovës për në Këshill të Evropës, është konfirmuar edhe nga vetë KE-ja. Ku në një përgjigje të dhënë për media është thënë se aplikimi për anëtarësim dhe i njëjti është përcjellë për tek Komiteti i Ministrave.
“Ne mund të konfirmojmë se aplikimi për anëtarësim është pranuar dhe po i transmetohet Komitetit të Ministrave në përputhje me statutin e Këshillit të Evropës”, thuhet në përgjigjen e Këshillit të Evropës.
Mundësia reale për anëtarësim shënohet pas suspendimit të Rusisë nga ky institucion evropian. Një gjë të tillë e kanë thënë edhe diplomatët evropianë.
Në këtë vijë, zërat për mundësit e Kosovës që të anëtarësohet në Këshill të Evropës kanë qenë të shumtë që një kohë.
Një nga këta zëra, ka qenë ai i mediumit gjerman F.A.Z, më saktë përmes një artikulli të gazetarit Michael Martens, ku sipas përllogaritjeve të F.A.Z, për pranimin e Kosovës do të nevojiteshin dy të tretat e shumicës, pra 31 vende. Nga 46 vende anëtare, 34 e njohin pavarësinë e Kosovës.
Por, përveç mediumit gjerman F.A.Z, është edhe vetë Parlamenti Evropian është shprehur “pro” anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës.
Kjo “dritë e gjelbër” nga PE, për Kosovën ka ardhur përmes raporteve të këtij institucioni ku është përmendur edhe Kosova.
Mes thirrjeve për normalizim të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, po ashtu edhe për liberalizimin e vizave për Kosovën, në raport, Parlamenti Evropian, ka shprehur mbështetjen e plotë për anëtarësimin e Kosovës në KE.
Brenda këtyre raporteve, kujtohet që Kosova i është bashkuar të gjitha qëndrimeve të Bashkimit Evropian në lidhje me agresionin e Rusisë ndaj Ukrainës. ku kujtohet se Kosova ka shpallur sanksione kundër Rusisë, dhe përmes një Rezolute të veçantë në Kuvend ka dënuar agresionin Rus.
Në rast të anëtarësimit në KE, Kosova do të bëhet anëtarja më e re e kësaj organizate, ku përfitimet për të do të jenë të ndryshme.
Rreth përfitimeve që Kosova do t’i ketë në rast të anëtarësimit, profesori universitar në Fakultetin Juridik, Besfort Rrecaj, ka thënë se më së shumti do të përfitojnë qytetarët, sepse me tu bërë pjesë e KE-së, qytetarët e Kosovës mund të kërkojnë drejtësi në Gjykatën e Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
“Të qenit anëtar i Këshillit të Evropës, nënkupton që Kosova është pjesë e Gjykatë Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Kjo i jep mundësi qytetarëve që eventualisht ndodhen në procedura gjyqësore në Kosovë dhe nuk janë të kënaqur me vendimet përfundimtare të organeve gjyqësore në Kosovë, që t’i adresohen edhe gjykatës, me qëllim të rivendosjes së të drejtës”, ka thënë Rrecaj.
Por çfarë është Këshilli i Evropës, në të cilin ka aplikuar Kosova?
Këshilli i Evropës është organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Evropë, me seli në Strasburg të Francës, e cila është themeluar në vitin 1949. Organizatë e cila ka realizuar fushata për mbrojtje të fëmijëve por edhe kundër gjuhës së urrejtjes.
Ky Këshilli po ashtu mbron lirinë e shprehjes dhe të mediave, barazinë dhe minoritetet në vendet anëtare.
Sa i përket vendeve anëtare të KE-së, ato janë: Shqipëria, Andorra, Armenia, Austria, Azerbajxhani, Belgjika, Bosnje-Hercegovina, Bullgaria, Kroacia, Qiproja, Republika Çeke, Danimarka, Estonia, Finlanda, Franca, Gjeorgjia, Gjermania, Greqia, Hungaria, Islanda, Irlanda, Italia, Letonia, Lihtenshtajni, Lituania, Luksemburgu, Malta, Monako, Mali i Zi, Holanda, Maqedonia e Veriut, Norvegjia, Polonia, Portugalia, Moldavia, Rumania, San Marino, Serbia, Sllovakia, Sllovenia, Spanja, Suedia, Zvicra, Turqia, Ukraina, Mbretëria e Bashkuar.
Ndërsa vende vëzhguese janë: Kanadaja, Izraeli, Japonia, Selia e Shenjtë, Meksika dhe Shtetet e Bashkuara.