Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Liza Gashi, ka reaguar pasi një autobus me mërgimtarë u sulmua në Serbi, ndërsa ai po shkonte për në Dortmund të Gjermanisë.
Autobusi u sulmua të shtunën në mbrëmje, kurse zv/ministrja e Punëve të Jashtme reagon vetëm sot, duke shkruar se sulmi ka ndodhur dje! Për sulmin nuk kanë reaguar as kryeministri Albin Kurti e as ministrja Donika Gërvalla.
Gashi tha se janë të shqetësuar shumë nga ky sulm dhe e akuzoi presidentin serb, Aleksandar Vuçiq për “agresion ndaj shqiptarëve”.
“Dje, një autobus i mbushur me pjesëtarë të diasporës që udhëtonte nga Kosova në Gjermani u sulmua me gurë teksa kalonte nëpër Serbi. Fatmirësisht, askush nuk u lëndua. Megjithatë, ne jemi shumë të shqetësuar nga sulmi dhe dënojmë motivet pas agresionit”, shkroi Gashi.
“Republika e Kosovës kundërshton çdo kërcënim me bazë etnike ndaj qytetarëve dhe diasporës së saj. Është e qartë se regjimi i Vuçiqit dhe predikimi i tij për agresion ndaj shqiptarëve të Kosovës ende vazhdon me pasoja potencialisht të rënda”, shtoi zëvendësministrja.