Shefja e diplomacisë kosovare, Donika Gërvalla-Schwarz, po qëndron për një vizitë në Gjermani. Deputeti i Bundestagut gjerman, Knut Abraham, i cili edhe ka qenë një nga zërat më të fuqishëm që Kosova të futej në rend dite në takimin e Komitetit të Ministrave në Këshillin e Evropës ka njoftuar për takimin me Gërvallën.
Abraham ka thënë se ka pasur një bisedë shumë të mirë me Gërvallën dhe se kanë biseduar në detaje sa i përket situatës në Ballkan, dhe se kanë folur edhe për perspektivën evropiane dhe raportet Gjermani-Kosovë, raporton Gazeta Express.
“Ministrja vuri në dukje rritjen e këndshme ekonomike në vendin e saj dhe ishte në gjendje të raportonte mbi progresin e bërë në luftën kundër korrupsionit”, ka shkruar Abraham në njoftimin për takimin.
Abraham në fund ka thënë është e rëndësishme që e ardhmja e Evropës t’i japë Kosovës një perspektivë konkrete dhe të besueshme të anëtarësimit në BE.
“Hapat e ardhshëm duhet së pari të jenë udhëtimi pa viza dhe anëtarësimi në Këshillin e Evropës”, ka shkruar Abraham./GazetaExpress/