Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla – Schwarz, i është bashkuar narratives së Prokurorisë Speciale në Hagë, duke thënë se me fillimin e gjykimit për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) është bërë “diferencimi midis përgjegjësisë individuale dhe reputacionit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.
Në një takim me bashkëatdhetarët në New York, ajo citohet që të ketë thënë këtë deklaratë për procesin gjyqësor që po mbahet në Hagë, ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
“Që në hapjen e gjykimit në datën 3 prill është bërë diferencimi midis përgjegjësisë individuale dhe reputacionit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, citohet të ketë thënë kryediplomatja Schwarz në New York të SHBA’së.
Ky qëndrim i Gërvallës është i ngjashëm me atë të Prokurorisë Speciale, e cila në deklaratat hyrëse pati deklaruar se nuk po gjykohet UÇK’ja, por individët.
“Kjo çështje gjyqësore nuk kërkon të procedojë UÇK-në. Nuk i akuzon të gjithë anëtarët e saj. Nëse dikush e thotë këtë, e ka gabim, është e rreme. Thjesht nuk është e vërtetë”, deklaroi prokuroria me 3 prill.
Përkundër pretendimeve të ministres Schwarz e Prokurorisë së Speciales, ndryshe thotë aktakuza për ish-krerët e UÇK’së. Pika 35 e aktakuzës i portretizon si anëtarë të “Ndërmarrjes Kriminale të Përbashkët” pothuajse të gjithë udhëheqësit politikë dhe ushtarakë të UÇK’së – nga Shtabi i Përgjithshëm, Komandantët dhe Zëvendëskomandantët e Zonave, të Brigadave, të Njësiteve, e deri te ushtarët më të thjeshtë dhe të tjerë që vepronin në emër të UÇK-së”.
Ndërkaq kujtojmë që në një intervistë dhënë për RTV Dukagjinin vite më parë, Gërvalla kishte thënë se materialet që posedonte ajo do të ndihmonin në zbardhjen e vrasjeve nga Specialja.
Ajo kishte akuzuar ish-kryeparlamentarin, Kadri Veselin, se është “koka” e një organizate, e cila, sipas saj, ka kryer krime ndaj kundërshtarëve të tij politikë.
“Brenda mundësive që kam patjetër që do të dërgoj materiale në Speciale. Por, kam materiale. Kemi kryetar të parlamentit që unë e quaj më të turpshme se sa Thaçi që është president. Gjithë bota e di kush është Kadri Veseli dhe gjithë bota e di kush është Hashim Thaçi. Kadri Veseli ka qenë koka e organizatës që ka bërë krime ndaj kundërshtarëve politikë”, kishte thënë Gërvalla.