Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz, ka folur për raportimet e fundit rreth planit për vrasjen e ish-senatorit zviceran, Dick Marty.
Në fjalën e saj në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, Gërvalla ka thënë se Dick Marty kishte përgatitur një raport vite më parë në të cilin kishte akuzuar ish-drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për krime lufte, shkruan lajmi.net
“I njëjti zotëri, pra Marty, ditë më parë i ka thënë mediave se policia zvicerane i ka ofruar sigurinë më të madhe të mundshme sepse po pretendohet që agjencitë inteligjente serbe kanë dashur ta vrasin atë dhe pastaj ta fajësojnë Kosovën. Këtë e kanë thënë autoritetet zvicerane pra ka një tendencë të vazhdueshme që të krijohet një frikë ndaj këtyre personave dhe pastaj kinse të ofrohet mbrojtje nga pala e tretë”, ka thënë Gërvalla.
Ministrja Gërvalla gjithashtu ka thënë se kundërshton akuzat e përfaqësuesit të Serbisë në Këshillin e Sigurimit, i cili tha se qytetarët serbë në Kosovë diskriminohen në bazë të etnisë.
Ajo ka thënë se të gjitha minoritetet në Kosovë mbrohen fuqishëm nga një Kushtetutë, e cila sipas Gërvallës është një ndër Kushtetutat më të modernizuara të vendeve demokratike.