Demarkacioni ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi ende nuk ka përfunduar dhe kjo duhet të shënohet në terren nga komisionet shtetërore të të dyja vendeve, ka bërë të ditur ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës dhe Diasporës, Donika Gërvalla Schwarz.
Ajo në një intervistë për mediumin malazez ‘Vijesti’ ka thënë se Qeveria e Kosovës është e bindur se kjo çështje do të përmbyllet në mënyrën më të mirë të mundshme në një kohë më të favorshme dhe kur rajoni të jetë më i qetë, përcjell lajmi.net.
“Demarkacioni mes Kosovës dhe Malit të Zi ende nuk ka përfunduar. Kjo duhet të shënohet në terren nga komisionet shtetërore të të dy vendeve, gjë që ende nuk është bërë. Raporti fillestar për punën e komisioneve të të dyja vendeve në Kosovë ngjalli reagime serioze në opinion dhe në institucione. Komisioni i ri, i cili më vonë u krijua nga qeveria e Kosovës, pretendon se ka konstatuar shkelje të rënda në punën e komisionit të parë. Deklarata e përbashkët e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe presidentit të Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, që ofron mundësinë e rishikimit të procesit dhe korrigjimet e mundshme në dy drejtime, Çakorrit dhe Kullës së Zhlepit, i mundësoi Kuvendit të Kosovës që këto tri dokumente në paketë t’i votojë si të barabarta. Jemi të bindur se këtë çështje do ta përmbyllim në mënyrën më të mirë të mundshme në një kohë më të favorshme, kur rajoni të jetë më i qetë”, deklaroi ajo për ‘Vijesti”-n.
Kryediplomatja paralajmëron se nëse lufta në Ukrainë nuk përfundon shpejt, reflektimet përbëjnë një kërcënim për stabilitetin dhe paqen edhe në Ballkan, duke vënë në dukje “ambiciet e Serbisë për zgjerim”.
“Pra, vetëm të bashkuar nën kujdesin e Bashkimit Evropian dhe nën mbrojtjen e NATO-s, do të jemi më të sigurt, do të kemi mundësinë të jemi më të zhvilluar dhe të ndajmë vlerat dhe interesat e përbashkëta”, deklaroi Gërvalla.
Ndërkaq, nga zyra e presidentit malazez çështjen e demarkacionit e konsideruan si temë të mbyllur. Për demarkacionin foli edhe kryeministri malazez, Zdravko Krivokapiq, teksa i quajti si “provokuese” dhe “cenim për integritetin territorial” ri-korrigjimin e kufijve, ide kjo e nisur nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
“E konsideroj provokim të papranueshëm deklaratën e zotit Kurti që shpall aspirata të rrezikshme për cenim të integritetit territorial të Malit të Zi. Është interesant se nuk ka asnjë reagim nga presidenti i Malit të Zi dhe kryeministri ‘antikushtetues’ Dritan Abazoviq”, deklaroi ai.
Ky reagim i Krivokapiqit erdhi pas deklaratës së Kurtit, i cili u shpreh se po e pret qeverinë e re në Mal të Zi që të fillojnë takimet e përbashkëta ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Mallit të Zi, siç u zhvilluan me shtetet tjera të rajonit.
“Shpresojmë që së shpejti Mali i Zi do të ketë Qeveri të re me të cilën do të mund të bisedojmë e ta trajtojmë këtë çështje. Për dallim nga qeveria paraprake e cila kishte për brenda elemente pro ruse, përveç se pro Beogradit dhe natyrisht që nuk kishte kushte për një trajtim të tillë. Ne kemi bërë mbledhje të përbashkëta të qeverisë me Maqedoninë e Veriut edhe me Shqipërinë, dhe shpresojmë të bëjmë edhe me Malin e Zi pasi të formohet qeveria e re”, deklaroi ai. /Lajmi.net/