Ministria e Jashtme e Italisë njoftoi se gazetarja Cecilia Sala, e cila ndodhej në Iran për ta kryer “veprimtarinë e saj gazetareske”, është arrestuar nga policia në Teheran.
Ministria tha në një komunikatë të premten se, Sala, e cila ka një podkast të quajtur “Stories” – rrëfime për jetën në vendet përreth botës, u arrestua më 19 dhjetor.
Ajo nuk tregoi arsyen e arrestimit të saj, por tha se ambasadori italian në Teheran e vizitoi atë “për t’i verifikuar kushtet dhe gjendjen e Salas në paraburgim”.
“Familja u njoftua për rezultatin e vizitës konsullore. Sala kishte mundësi t’i bënte dy telefonata me të afërmit e vet”, tha Ministria italiane.
Sala e postoi një podkast nga Teherani më 17 dhjetor rreth patriarkatit në kryeqytetin iranian.
Irani akuzohet rregullisht për arrestimin e shtetasve me shtetësi të dyfishtë dhe të qytetarëve perëndimorë nën akuza të rrejshme, për t’i përdorur ata për trysni ndaj vendeve perëndimore.
Burime pranë gazetarit pretendojnë se ai ra në “grackën e sigurisë”, pavarësisht se kishte marrë garanci jozyrtare nga zyrtarët iranianë të sigurisë se nuk do të kishte probleme ligjore kur të kthehej në Iran.
Irani është ndër vendet më shtypëse për sa i përket lirisë së shtypit. Reporterët pa Kufij e renditën Iranin në vendin e 176-të nga 180 vende në Indeksin Botëror të Lirisë së Shtypit për vitin 2024.