Gazetari slloven Lluka Persh ka folur sërish pas raportimit të fundit mbi skandalin e Martin Berishajt e ku përmendet edhe pretendimi se përmes parave të GEN-i në Tiranë u financuar edhe fushata elektorale e kryeministrit Albin Kurti. Çka tha Pershi tash?
Ai foli për portalin kosovar serb, Kosovo-Online dhe ku rrëfeu mbi të dhënat që i ka përfshirë në raportimin e tij.
Dhe, në këtë pikë duket se gjërat për të janë më specifike. Ai përmendi një ish-anëtar të stafit të presidentit amerikan Barack Obama që ka punuar për Kurtin e njëkohshëm ka punuar edhe për kryeministrin slloven Robert Goljob: Arun Chaudhary.
“Ai ndihmoi në fushatën e Albin Kurtit më 2021 dhe në fushatën e referendumit në Slloveni për Ligjin e Ujit. Iniciatori kryesor i referendumit ishte organizata joqeveritare 8 marsi. Drejtues qendror i 8 marsit ishte bursistja e fondacionit Obama, Nika Kovaq.” – u shpreh z. Persh në intervistën e tij.
Nacionale kishte raportuar edhe më herët se pikërisht Chaudhary dukej të ishte lidhja mes Kurtit dhe Kovaqit, pasi emrat e të dyve ishin vënë pranë njëri tjetrit në raportimin e gazetës sllovene. Chaudhary madje shihej edhe në fotografi me aktivisten sllovene.
Por, Persh jep edhe të tjera informacione shqetësuese potencialisht edhe për pushtetin aktual në Kosovë.
“Burimet e mia të inteligjencës së huaj më thanë se në një nga shtetet evropiane është bërë një kallëzim penal prej 250-faqesh kundër kartelit të energjisë në Ballkan. GEN-i është ekspozuar në to në më shumë se njëzet faqe.” – shprehet z. Persh.
Ai u mor edhe me zëdhënësin e Qeverisë së Kosovës që e kishte quajtuar atë “gazetar të panjohur”.
“Dua vetëm të informoj përfaqësuesin e respektuar të Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryezin, se “mediat e dyshimta” i kanë të gjitha informacionet për aferën Berishaj dhe 100 milionë eurot “e zhdukura”…” – u shpreh ai.