Gazetarët gjermanë, Nicole Bastian dhe Mathias Brüggmann ia kanë kujtuar presidentit serb, Aleksandar Vuçiq në Berlin se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në vitin 2010 kishte vendosur se pavarësia e Kosovës nuk ishte shkelje e të drejtës ndërkombëtare, pasi Serbia kishte kryer gjenocid ndaj kosovarëve.
Në intervistën për gazetën gjermane, Handelsblatt, Vuçiq i kundërshtoi ata.
Nuk ka pasur gjenocid në Kosovë dhe nuk ka asnjë vendim të vetëm gjykate që e sheh atë ndryshe”, u përgjigj presidenti serb, i cili sot do të takohet me kryeministrin Albin Kurti, para se ta takojë paraprakisht kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz, përcjell Gazeta Express.
Presidentja Vjosa Osmani, ka thënë më 20 prill se institucionet janë duke punuar në padinë për gjenocid ndaj Serbisë.
“Është duke u punuar intensivisht nga një ekip profesionistësh të cilët po i përgatisin materialet që duhet t’i kemi sa i përket padisë për gjenocid. Çështja e krimeve të luftës, krimeve kundër njerëzimit dhe gjenocidit që Serbia ka kryer në Kosovë kurrë nuk ka qenë më publike në arenën ndërkombëtare sesa tani”, pati thënë ajo në “Kallxo”.
Osmani nuk pati përmendur datë se kur do të mund të ushtrohej kjo padi, pasi kishte theksuar se puna është ‘konfidenciale’.
“Puna për padinë për gjenocid është konfidenciale dhe është punë që do të vazhdojë edhe për një kohë, kur kryehet do të ju njoftojmë, sepse nuk është lojë kjo punë, nuk është rast që guxon të dështojë” , tha ajo.