Gazeta Online “Reporteri” dhe kryeredaktori i saj, Mentor Gjergjaj, kanë paditur për shpifje dhe fyerje ish-asamblistin e Lëvizjes Vetëvendosje, Sadri Ramabaja, për deklaratën e tij se disa media në Ballkan, duke mos e përjashtuar as vendin tonë, janë të blera nga Agjencia Shtetërore e Lajmeve ruse e quajtur “Sputnik”.
Në padinë e 14 shkurtit 2022 që ka siguruar Klan Kosova, thuhet se Ramabaja, më 31 janar 2022, në debatin televiziv “Pressing”, në televizionin “T7”, me vetëdije të plotë, kishte dhënë deklaratë me motive nënçmuese kundër paditësve, duke përhapur deklarime të pavërteta, duke tentuar të dëmtojë reputacionin e paditësve.
Siç thuhet në padi, Ramabaja kishte deklaruar se “Ajo çka më bën mua përshtypje, qoftë intervista te Reporteri, sidomos te Reporteri, po edhe debatet e ndryshme etj., vërejmë një tip të mazohizmit politik në hapësirën tonë. Kemi qejf disi me i ba keq vetëvetit vetëm me dalë të mirë para të huajve. Ka marrë fund kjo epokë, duhet me ndryshu”.
“Përmes përdorimit të shprehjes “mazohist” në mënyrë të veçantë, i padituri ua dedikon të njëjtën këtu paditësit 1 dhe 2, duke shpërfaqur qëllimin e tij denigrues se gazeta online ‘Reporteri’ dhe intervistuesi i z. Escobar është media e nënshtruar apo media që i nënshtrohet në përulësi tjetrit, duke e dëmtuar kështu rëndë kredibilitetin e mediumit si paditësi 1 dhe paditësi 2”, thuhet në padi.
Sipas kësaj padie, Ramabaja përsëri më 9 shkurt 2022, në debatin televiziv “Pressing”, në televizionin “T7”, kishte theksuar se: “Ka elemente të mazohizmit politik në mediat tona dhe është mirë që sidomos redaktorët dhe kryeredaktorët këtë vërejtje ta marrin shumë seriozisht, sepse ngjashëm qysh është shoqëria jonë në llupë të vrojtimit, dyfish më shumë janë mediat dhe analizat sidomos të institucioneve të specializuara flasin se një pjesë e mirë e mediave në Ballkan, nuk përjashtohemi as ne si shoqëri, janë të blera nga Sputniku rus, edhe ka portale në Kosovë dhe Tiranë madje edhe televizione”.
Paditësit kanë thënë se Ramabaja ka dhënë deklarata të pavërteta me qëllim të dëmtimit të imazhit të paditësve, lidhur me intervistën e bërë nga gazeta online “Reporteri” dhe intervistuesi-kryeredaktori Mentor Gjergjaj, me 27 janar 2022, me zëvendësndihmësin e Sekretarit të Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike dhe Përfaqësuesin e Posaçëm për Ballkanin Perëndimor të SHBA-së, Gabriel Esocbar.
“Pyetjet që i parashtron (e ka fjalën për paditësin 1 dhe 2) sidomos në raport me qeverinë dhe kryeministrin, të jeni të bindur, unë kam punuar disa vjet kryeredaktor, as gazetarët e Sputnikut nuk do t’i bënin pyetje të tilla provokative”, kishte deklaruar Ramabaja.
Për këto pretendime, të paditurit, me anë të kësaj padie, kanë kërkuar që të detyrohet i padituri Ramabaja që paditësve t’ua kompensojë 85,000 euro, (65,000 euro për gazetën “Reporteri” dhe 20,000 të tjera për paditësin Mentor Gjergjaj), si dhe t’ua kompensojë edhe shpenzimet procedurale në afat prej 15 ditëve nga dita e pranimit të aktgjykimit në dorëzim, e nën kërcënim të përmbarimit me dhunë.