Në shtatorin e vitit 2019, Albin Kurti, gjatë një interviste në Rubikon në cilësinë e opozitarit, e kishte tallur Ramush Haradinajn, atë kohë kryeministër, për numrin e lartë të këshilltarëve. Kurti kishte thënë se marrja e këshillave nga një numër aq i madh i këshilltarëve shkakton kokëdhimbje, derisa e kishte portretizuar Haradinajn edhe si lakmiqar.
“35 këshilltarë, ata një këshillë me ta dhënë në ditë të dhemb kryet. 35 këshilla në ditë s’di si i ka menaxhuar, ndoshta kjo ia rrëzoi qeverinë. Kjo është një lloj lakmie, të cilën nuk e kontrollon dot as lakmiqari. Është një lakmi, e cila e përmban vetë lakmiqarin brenda”, ishte shprehur Kurti në vitin 2019.
Megjithatë kur sot Kurti në kabinetin e tij është vetë i 30-ti dhe ka gjithsejtë 22 këshilltarë, dikush është kujdesur që t’ia rikujtojë deklaratën e para 3 viteve për Ramush Haradinajn.
Është pikërisht ish-këshilltari i tij, Shkëlzen Gashi, i cili e ka pyetur Kurtin ”Kryeministër a po t’dhem kryet?”.
Gashi thotë se Kurti gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet e përgjithshme, të mbajtura në tetor të vitit 2019, kryeministri i Kosovës premtonte se do të ketë 6-10 këshilltarë politikë, derisa kërkoi edhe një shpjegim për emërimin e një numri të cilin e konsideronte shumë të lartë.
“Para disa ditëve në portalin ‘Kallxo’ e lexova një artikull me titull «Kurti vet i 30-ti në kabinet (dokument)», në të cilin thuhej se deri më tani Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka emëruar gjithsej 22 këshilltarë politikë. Mu kujtua një intervistë e tij në emisionin ‘Rubikon’, 4 shtator 2019 «Si do të ishte Albin Kurti si kryeministër?», ku ai me të drejtë tallej me atëherë Kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj”.
“Ndoshta do të ishte mirë një spjegim për dy përkatësisht trefishimin e këshilltarëve politikë”, ka shkruar Gashi./Gazeta Express/