Deputetja nga radhët e PDK-së, Ganimete Musliu është shprehur e lumtur që numri i madh i qytetarëve marshuan sot në “Marshin për drejtësi”.
Musliu tha se e kanë për obligim të bëjnë më shumë për lirinë e vendit, pasi siç tha ajo, në Hagë po gjykohet liria e popullit të Kosovës.
“Unë kam dalë sot si çdo qytetare e Kosovës, pa dallim politik, fetar e etnie, sot kërkojmë drejtësi për çlirimtaret. Më vjen mirë që përfundimisht qytetarët e Republikës së Kosovës e kanë kuptuar që vlera jonë më e shenjtë, sublime është UÇK-ja. Ne duhet të bëjmë më shumë për lirinë tonë sepse në Hagë po gjykohet liria e popullit të Kosovës. Andaj, e kemi për obligim sikur ata që e mbrojtjen dje me pushkë, sot ta mbrojmë në mënyrë paqësore lirinë tonë”, tha Musliu, raporton kp.
“Marshi për drejtësi” u organizua një ditë para fillimit të procesit gjyqësor në Hagë, pasi, ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi po akuzohen me pretendimin për krime lufte dhe të njëjtit po qëndrojnë në paraburgim prej nëntorit të vitit 2020.