Diplomatët e Perëndimit, të angazhuar intensivisht për t’ia ndërruar mendjen Kryeministrit Kurti në lidhje me targat, kanë arritur një rezultat. Kryeministri ka vendosur ta shtyjë afatin për zëvendësimin e targave ilegale, por jo për 10 muaj.
Kryeministri Albin Kurti ka shtyrë afatin e konvertimit të targave ilegale të lëshuara nga Serbia për qytetarët serbë, në targa RKS.
Ai ka prezantuar një plan, sipas së cilit, thotë se edhe do të zbatohet ligji edhe do t’u jepet kohë për riregjistrim të automjeteve që qarkullojnë me tabela ilegale.
“Deri me 21 nëntor do të jetë masa a qortimit. Nga 21 nëntori deri me 21 janar do të jetë masa e gjobitjes. Nga 21 janari do të kemi targa provuese për dy muaj. Pas secilës datë me 21 prill s’do të ketë më targa të tjera në Republikën e Kosovës”, ka thënë Kurti në mbledhjen e Qeverisë.
Ambasadorët e QUINT-it i kishin kërkuar Kurtit që ta shtyjë afatin për 10 muaj. Gjatë javës Kryeministri linte të kuptohej se nuk do ta aprovojë këtë kërkesë.
Për t’ia mbushur mendjen Kryeministrit, ishin angazhuar zyrtarë të lartë amerikanë dhe Bashkimi Evropian.
Derek Chollet, këshilltar i sekretarit amerikan Anthony Blinken, e ka telefonuar dje Kurtin dhe ka njoftuar se i kërkoi atij që ta shtynte afatin për targat “pa konfiskime ose dënime”.
Në mbledhjen e sotme të Qeverisë, Kurti futi një pikë shtesë të rendit të ditës, ku i shpjegoi kabinetit të tij se si do të bëhej me çështjen e targave.
Ambasadorët e QUINT-it kanë qëndruar sot në zyrën e Kurtit një orë para se të niste mbledhja e Qeverisë, të cilën e kishte thirrur Kryeministri. Mbledhja nisi me një orë vonesë.