Pesë ditë më parë, Ministria e Shëndetësisë njoftoi Federatën e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës që nuk doe vazhdojë më zbatimin e kontratës kolektive. Për këtë shkëputje kryetarja e FSShK-së, Tevide Imeri, tha për Express se kanë qenë të informuar dhe se do të fillojnë negocimin e kontratës së re.
Tevide Imeri, kryetare e FSShK-së, në një bisedë me Gazetën Express tha se i kanë bërë një propozim u.d të ministres së Shëndetësisë, Dafina Gexha-Bunjaku.
“Kam qenë e njoftuar se do të shkëputet kontrata kolektive dhe do të fillojmë negocimin e kontratës së re. Unë si kryetare e FSShK-së i kam propozuar u.d. të ministres së Shëndetësisë, Dafina Gexxha-Bunjaku, një marrëveshje bashkëpunimi deri në hartimin e kontratës së re kolektive”, tha ajo.
Imeri deklaroi se janë duke e bërë një marrëveshje që përmban benefitet kryesore të kontratës sektoriale.
“Kontrata e re sektoriale mund të bëhet pasi të bëhet kontrata e përgjithshme kolektive, e cila nënshkruhet në mes të BSPK-së dhe Qeverisë së Kosovës, e më pas derivojnë kontratat sektoriale të cilat duhet të jenë të harmonizuara me Kontratën e Përgjithshme Kolektive”, tha Imeri për Express.
Kur Ministria e Shëndetësisë njoftoi se kanë shkëputur kontratën kolektive thanë se është bërë për shkak të skadimit të afatit. Njëjtë deklaroi edhe Imeri.
“Kontratës sektoriale të shëndetësisë i ka skaduar afati në qershor të vitit 2021, e cila e ka pasur një nen që na ka mundësuar nxjerrjen e kontratës së re kolektive”, tha ajo.
Kontrata Kolektive përmbante disa benefite për punonjësit në sektorin e Shëndetësisë.
Kjo kontratë rregullonte themelimin e marrëdhënies së punës, përmbajtjen e kontratës së punës, sistemimin e të punësuarve, orarin e punës, pushimet, stazhin e punës, mungesat në punë, rrezikshmërinë në vendin e punës, informimin, ndalimin e diskriminimit, kushtet për sigurimin e aktivitetit sindikal dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve.
Imeri për Express tregoi beneficionet që planifikojnë t’i fusin në kontratën e re kolektive.
“Kujdestaritë me rritje, rrezikshmërinë dhe pushimin mjekësor të zgjatur te rastet e rënda”, tha ajo.