Organizata Freedom House arriti në përfundimin se në vitin 2020 aktorët autoritarë u bënë më të guximshëm, ndërsa demokracitë më të mëdha përballeshin me problemet e brendshme, duke sjellë si rezultat një rënie për të 15-in vit me radhë në lirinë botërore.
Freedom House nxori raportin e saj vjetor të vitit 2021 për lirinë në botë, sipas së cilit hendeku mes rënieve dhe përmirësimeve në nivelin e lirisë u thellua.Sipas raportit, Shqipëria ka rënë një pikë më poshtë, ndërsa Kosova dy pikë. Maqedonia e Veriut ishte një nga historitë e suksesit me tri pikë përmirësim nga një vit më parë.
Sipas raportit Freedom House, Ballkani është mes rajoneve që kanë pësuar rënie, por ka shënuar edhe disa përparime. Shqipëria dhe Kosova vazhdojnë të mbeten pjesërisht të lira, dhe kanë pësuar një rënie prej një pike dhe dy pikësh respektivisht.
Shqipëria nga 67 pikë vitin e kaluar, ka 66 pikë këtë vit me një pikë rënie në kategorinë e të drejtave të grumbullimit dhe organizimit, lidhur me dy ngjarje.
“Ne pamë rënie në lirinë e grumbullimit, për shkak të dhunës midis protestuesve dhe forcave të sigurisë në maj, gjatë shembjes së ndërtesës së Teatrit Kombëtar. Një tjetër arsye për shqetësim ishte kur në dhjetor policia vrau një qytetar që kishte shkelur urdhrin për orën policore. Këto kontribuuan në rënien në kategorinë e lirisë së grumbullimit”, tha bashkëautorja e raportit Amy Slipowitz.
Kosova pësoi një rënie prej dy pikësh gjithsej nga 56 në 54, që u atribuohen rënieve në kategoritë e procesit elektoral dhe pluralizmit politik.
“Kjo kishte të bënte me miratimin e qeverisë së kryeministrit Hoti nga një shumicë me një vote diferencë të një deputeti që kishte qenë i dënuar”, thotë Amy Slipowitz, bashkëautore e raportit dhe menaxhere për kërkimet në Freedom House.
Parregullsia e këtij procesi solli rënie.
“Ishte gjithashtu edhe rënia në kategorinë për opozitën për shkak se garda e vjetër politike orkestroi rënien e qeverisë së Albin Kurtit të partisë Vetëvendosje”, tha Slipowitz, raporton Zëri i Amerikës.
Megjithë rënien e rajonit, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut kanë shënuar rritje, madje me 3 pikë më shumë se vitin e kaluar Maqedonia e Veriut është një nga vendet e përmendura për rritje të konsiderueshme në raport.
“Qeveria reformiste e Maqedonisë së Veriut u rizgjodh dhe institucionet e saj kryesisht e kanë rimarrë veten nga dëmet e shkaktuara nga ish-kryeministri, Nikola Gruevski”, thuhet në raport.
2020-a ishte një vit ku pandemia e coronavirusit mbizotëroi në botë jo vetëm si krizë shëndetësore dhe Shtetet e Bashkuara pësuan një rënie të konsiderueshme në nivelin e demokracisë. Fredoom House thotë se pasojat ndjehen në gjithë botën.