Nga Frank Shkreli* Ish-Drejtor i VOA-s për Euro-Azinë
A e patë funeralin e demokracisë shqiptare të martën? A e shikuat paradën e 6 ambasadorëve , 6 vendeve më demokratike perëndimore, aleate të Shqipërisë duke shkuar tek selia e Partisë Demokratike në Tiranë?
Nuk dua të merrem më me subjektin e ndërhyrjeve të ndërkombëtareëve në punët që nuk u takojnë, sepse kam reaguar dyzina herë me shkrimet e mia modeste gjatë viteve të fundit. Frank Shkreli:
Diktatura më e rrezikshme, është ajo që, paraqitet me maskën e demokracisë! | Gazeta Telegraf Për këtë, fajin e ka kryesisht klasa politike shqiptare e dështuar, por edhe ndërkombëtarët duhen ta dinë më mirë rolin e tyre. Se një shfaqje e tillë si kjo e ditës së martë, nuk është diplomatike, se i kalon të gjitha vijat e kuqe, se vërtetë përben një shkelje flagrante dhe është një ndërhyrje, e paskrupullët, në punët e brendshme të një partie. Unë shpesh e kam shprehur përbuzjen time ndaj klasës politike shqiptare, të periudhës, gjoja “post-komuniste” të këtyre tre dekadave të fundit, pa dallim partie. Por, në saj të lirisë së fjalës që gëzoj si shtetas amerikan në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kam kritikuar, me arsye besoj unë, shpesh edhe sjelljet e diplomatëve të huaj në Tiranë, përfshirë ambasadoren amerikane atje.
“Parada e 6 ambasadorëve përendimorë duke shkuar tek selia e PD ,të ftuar ose jo ishte gjithashtu e papranueshme dhe e njëanshme. Kjo shkel të gjitha normat diplomatike!”
Prandaj në këtë vijë, dua të them edhe kësaj here, se vizita e djeshme e diplomatëve përendimorë , të ftuar ose jo në selinë e Partisë Demokratike ishte gjithashtu e papranueshme dhe e njëanshme. Kjo shkel të gjitha normat diplomatike! Në sytë e një personi si unë që jetoj në Amerikë, një akt i tillë si ai që u luajt në kryeqednrën e Partisë Demokratike të Shqipërisë ditën e martë më bindi se ju të nderuar diplomatë, përfaqësues të Amerikës dhe të Evropës në kryeqytetin e Shqipërisë, jeni në përplasje dhe në konflikt të drejt për drejt me realitetin politik me të cilin pëballet vendi ku ju shërbeni në Shqipëri.
Një shfaqje e tillë nga ana e juaj nuk ndihmon zhvillimin e mëtejshëm të demokracisë në Shqipëri, kredibilitetin tuaj si ndërmjetës të paanshëm midis palëve, jo se jo, ndërsa në radhët e shqiptarëve, qoftë përkrahësve të opozitës, qoftë edhe të pozitës keni humbur besueshmërinë plotësisht. Kur humb kredibilitetin, ke humb çdo gjë, thotë një fjalë e vjetër. “Nëqoftëse humb pasurinë, nuk ke humbur asgjë; nëqoftëse humb shëndetin, ke humbur diçka; por nëqoftëse humb karakterin, ke humbur gjithçka.” Woodrow Wilson.
Prandaj të nderuar diplomatë, një thënje tjetër, autori i të cilës nuk po më kujtohet tani për tani, por thotë përafërsisht: Kur njerëzit nuk kanë asgjë për të humbur, pasi kanë humbur çdo gjë, ata vërtetë e humbasin…Shumë shqiptarë, fatkeqësisht, po e “humbasin” dhe me përbuzje ndaj zhvillimeve të këtyre viteve në vendin e lindjes, kryesisht për arsye të mosaftësisë qeverisëse dhe konflikteve midis liderëve të tyre, por edhe për shkak të sjelljeve të ndërkombëtareve ndaj kësaj klase politike, shqiptarëve nuk u ka mbetur tjetër alterantivë veçse të largohen nga dheu i të parëve.
“Një shfaqje e tillë nuk ndihmon zhvillimin e mëtejshëm të demokracisë në Shqipëri, kredibilitetin tuaj si ndërmjetës të paanshëm midis palëve, ndërsa në radhët e shqiptarëve, qoftë përkrahësve të opozitës, qoftë edhe të pozitës keni humbur besueshmërinë plotësisht. Kur humb kredibilitetin, ke humb çdo gjë, thotë një fjalë e vjetër.”
Ambasadorët e vendeve mike të Shqipërisë dhe të shqiptarëve shkuan dje për të shprehur “ngushëllimet” e rastit, një gozhdë tjetër në arkivolin e demokracisë së vdekur në Shqipëri, sado e brishtë që ishte. Duket ambasadorët shkuan dhe dolën prej andej pas një ore e pak minuta, duke mos bërë as një deklaratë se kush i ftoi, se pse ishin aty, për çfarë u fol dhe kush ishte objektivi i takimit. Aq, sa për transparencën e diplomatëve përendimorë në Tiranë, duke ngritur një shkallë më lartë mosbesimin e shqiptarëve ndaj sjelljeve të diplomatëve të huaj dhe marrëdhënive të tyre me përfaqësuesit e kësaj klase politike të dështuar, e cila dita ditës po zbraz atë vend, duke detyruar arratisjen e shqiptarëve nga atdheu i tyre si në kohën e komunizmit, por me të vetmin ndryshim se tani numri i të larguarve arrin në qindra mijëra shqiptarë.
Shqiptarët me të cilët unë bisedoj, më thonë se shumë prej tyre janë të bindur se perëndimorët kanë arritur në përfundimin e të pranuarit të Shqipërisë , jo si një demokraci e vërtetë, por si një shtet autoritar, erdoganist ose putinist.
Ky takim i ambasadorëve në selinë e PD-së, ashtu si edhe të tjera takime të kësaj natyre në të kaluarën me politikanët shqiptarë, kaloi pa asnjë koment.
Sidomos në këtë periudhë krize të madhe politike në Shqipëri, shqiptarët duan të dinë se ç’po ndodhë në vendin e tyre, dhe për kë po bien këmbanat, gjë që më kujtoi atë frazën anglisht, “For Whom the bell tolls”, që i referohet kambanës së kishës që bie kur vdes një njeri, por për të cilin nuk duhet të jemi aq kuriozë se kush është njeriu i vdekur.
Shqiptarët duan të dinë nëse kjo kambanë po bie për të paralajmëruar “vdekjen” e demokracisë në Shqipëri, apo të ndonjë personi. Por, ama, sipas predikuesit anglez të shekullit XVI, “No man is an island, entire of itself; every man is a piece of the Continent, a part of the main… Any man’s death diminishes me, for i am involved in mankind. Any therefore never send to know for whom the bell tolls; it tolls for thee.”
Që pak a shumë diplomatët perëndimorë duhet ta dinë domethënien e kësaj: Mos pyet se për ke bie kambana, mos pyet se kush ka “vdekur”, sepse kambana bie edhe për ty, pasi edhe ju jeni pjesë e kësaj bote që e quajmë njerëzim, ashtuqë kur “vdes” dikush ose diçka, siç është demokracia, edhe një pjesë e juaja vdes, edhe e demokracisë tuaj. Ky është shpjegimi i kësaj thënjeje pra, se nëqoftëse vdes demokracia shqiptare, pa dyshim se do vdes edhe një pjesë e demokracisë në vendin që ju përfaqësoni në Republikën e Shqipërisë.
Atëherë, në minimum, nëqoftëse nuk mund të ndihmoni në zhvillimin e një demokracie të vërtetë në Shqipëri, atëherë të paktën mos e pengoni një gjë të tillë.
Demokracia nuk pret për shqiptarët, të nderuar diplomatë.