Ambasada Amerikane në Tiranë ka bërë me dije përmes një postimi në rrjete sociale se baza e ardhshme e NATO-s, që pritet të ndërtohet në Kuçovë, do të jetë në gjendje të mbajë 6 avionë luftarakë.
Teksa ka shpërndarë foto nga takimi i mbajtur ditën e sotme në bazën që pritet të ndërtohet, ku të pranishëm ishin ambasadorja Yuri Kim, kryeministri Rama, ministri i Mbrojtjes Peleshi, dhe Shefi i Shtabit të Përgjithshëm Begaj, ambasada thekson se ky investim prej 50 mln euro e bën aleancën edhe më të fortë.
“Po bëjmë një aleancë të fortë akoma edhe më të fortë! Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës Yuri Kim mori sot pjesë në një ceremoni në bazën ajrore të Kuçovës, me rastin e fillimit të një projekti rindërtimi prej 50 milionë eurosh të NATO-s. Gjatë viteve të ardhshme, NATO do të financojë rinovimet dhe ndërtimin e plotë në bazën ajrore të Kuçovës. Pas përfundimit, baza do të jetë në gjendje të mbajë gjashtë avionë luftarakë në baza periodike. Kryeministri Edi Rama, Ministri i Mbrojtjes Peleshi dhe Shefi i Shtabit të Përgjithshëm Begaj mbajtën të gjithë fjalën e rastit, duke pohuar se ky është një tjetër hap në rritjen e rolit të Shqipërisë si anëtare e aleancës”, thuhet në njoftimin e ambasadës.