FC Prishtina ka nënshkruar kontratë profesionale me supertalentin nga Shkolla e Futbollit të Prishtinës, Rinor Shabani.
16-vjeçari vjen nga grup-mosha U-17, e cila drejtohet nga Azem Ahmeti.
Shabani, që luan si sulmues anësor, ka firmosur kontratë trevjeçare, ndërkohë që do t’i bashkohet ekipit të parë në përgatitje më 5 janar.
Ka qenë trajneri i skuadrës së parë, Abdulah Ibrakoviq, i cili e ka përcjellë nga afër Shabanin dhe është bindur me cilësitë e tij.
Rinor Shabani ka ardhur te Prishtina nga të rinjtë e Rilindjes me insistimin e trajnerit Azem Ahmeti.
Rinori më parë ka luajtur edhe për grup-moshat e reja të Flamurtarit.
Ai është i përfshirë edhe në Përfaqësuesen e Kosovës U-17, e cila drejtohet nga Arsim Abazi.
Rinori pas prezantimit e ka dhënë një intervistë të shkurtër për faqen zyrtare të klubit.
Ai tha si iu realizu një ëndërr. “Ditën e sotme më është realizuar një ëndërr, pasi arrita të bëhem edhe zyrtarisht pjesë e skuadrës së parë të Prishtinës, e cila është skuadra më e madhe në Kosovë dhe i falënderoj drejtuesit e klubit dhe trajnerin për mundësinë e dhënë”, tha Rinor Shabani, duke folur edhe për punën që do ta bëjë në skuadrën e parë. “Unë jam i ri në moshë dhe duhet të punoj shumë, në mënyrë që të arrij në nivele të larta. Dua që ta falënderoj edhe trajnerin Azem Ahmeti, me të cilin kam punuar deri më tash dhe trajnerët më të cilët kam punuar më parë, pasi pa punën e tyre dhe këshillat e tyre nuk do të arrija në skuadrën e parë të Prishtinës”, shtoi ai.