Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare (QKMF) në Skenderaj ka bërë të ditur një ngjarje të veçantë që ndodhi para disa ditësh.
Rreth orës 01:20 pas mesnate, një paciente 27-vjeçare, me dhimbje të mëdha lindjeje, u vlerësua nga mjeku kujdestar dhe u vendos që të dërgohej urgjentisht në Spitalin Rajonal.
Gjatë rrugës me autoambulancë, ndodhi mrekullia: foshnja, një djalë i shëndetshëm, erdhi në jetë. Procesi i lindjes u menaxhua me profesionalizëm të lartë nga infermierët Arxhend Ahmeti dhe Qendrim Selimi. Në ekipin kujdestar ishte edhe shoferi i autoambulancës, z. Xhevdet Voca, i cili siguroi transport të sigurt dhe të shpejtë për nënën dhe foshnjën.
QKMF Skenderaj falënderon ekipin për reagimin e shpejtë dhe përkushtimin në këtë situatë të jashtëzakonshme. Njoftojmë me kënaqësi se nëna dhe foshnja janë në gjendje të mirë shëndetësore.