“Në përputhje me nevojat e Forcës së Sigurisë së Kosovës, situatës aktuale dhe pas konsultimeve me partnerë ndërkombëtare kam autorizuar Ministrinë e Financave për themelimin e Fondit të Sigurisë”, tha Kurti më 1 mars, ndërsa në disa raste la të nënkuptohet se në këtë fond janë grumbulluar miliona euro. Kurti e qeveria po kritikohen nga opozita se rreth Fondit nuk ka transparencë, ndërsa partia në pushtet thotë se “është për një qëllim shumë të rëndësishëm shtetëror”.
Arbenitë Brahimi
Që nga 1 marsi, ditën kur u themelua, ende nuk dihet se sa para janë mbledhur në Fondin e Sigurisë. Për këtë, Qeveria po akuzohet për mostransparencë nga opozita.
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, njëherit anëtar i Komisionit për Çështjet e Sigurisë dhe Mbrojtjes, Anton Quni, tha për Express se nuk kanë informata për shumën e grumbulluar në këtë fond.
“Nuk kam informata për shumën e parave që janë grumbulluar në Fondin e Sigurisë të themeluar nga Qeveria”, derisa shtoi se “Qeveria nuk është transparente në lidhje me fondin”.
Njëjtë mendon edhe deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, që është edhe kryetari i Komisionit për Çështjet e Sigurisë dhe Mbrojtjes, Bekë Berisha.
“Fondi i Sigurisë nuk është transparent”, tha Berisha shkurt për Gazetën Express.
Për këtë fond, informata nuk ka as Partia Demokratike e Kosovës.
Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, në një prononcim për Gazetën Express, tha se askush nuk ka informata se cila është shuma e mbledhur në këtë fond.
“Transparenca e këtij fondi është zero. Menaxhimi i këtij fondi bëhet në mënyrë arbitrare nga Ministri Meha që bie në kundërshtim me çdo dokument të FSK-së. Mënyra si është themelu ky fond është bërë për të dështuar”, tha Musliu.
Informata për shumën e mbledhur në Fondin e Sigurisë nuk ka as deputeti i partisë në pushtet, Enver Dugolli.
Ai tha se për këtë Qeveria ka nxjerrë vendim “për klasifikimin e të dhënave”, derisa shton se nëse do të kishte informata do të “ishte e pamundur të deklarohet”.
“Ashtu siç e dini, Qeveria e Republikës së Kosovës ka nxjerrë një vendim për klasifikimin e të dhënave në lidhje me shumat financiare të grumbulluara në këtë fond, prandaj edhe unë si deputet dhe nënkryetar i komisionit nuk kam informata më shumë. Bazuar në dispozitat ligjore në fuqi, edhe po të dija ndonjë informatë më shumë në lidhje me këtë fond, është krejtësisht e pamundur të deklarohem më shumë për këtë”, tha Dugolli për Express.
Nënkryetari i Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes tha se fondi është “për një qëllim shumë të rëndësishëm shtetëror”.
“Fondi është për një qëllim shumë të rëndësishëm shtetëror, siç është mbrojtja dhe siguria e vendit, prandaj bëj thirrje që edhe më tej qytetarët e vendit, bizneset dhe kushdo që ka mundësi të kontribuon, gjithnjë sipas udhëzimeve dhe rregullave të paraparë në vendimin e qeverisë”, tha deputeti i VV-së.
Kryeministri Kurti të hënën, nga foltorja e Kuvendit, u ka bërë thirrje qytetarëve që të kontribuojnë në Fondin për siguri.
Këtë thirrje ai e ka bërë gjatë prezantimit të Strategjisë së Sigurisë së Kosovës 2022-2027, ku tha se krahas rritjes së buxhetit për FSK-në po shtohen edhe mjetet nga qytetarët, të grumbulluara në Fondin e Sigurisë.
“Kemi krijuar linja të reja të furnizimeve me sisteme të armatimit në mënyrë të drejtpërdrejt shtet më shtet, duke shkurtuar kohën e furnizimit dhe koston financiare”, ka thënë Kurti.
Fondi i Sigurisë menaxhohet nga Ministria e Financave, ndërsa më pas mjetet e grumbulluara do të kalojnë në Ministrinë e Mbrojtjes për shfrytëzim si buxhet shtesë.