Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë ka reaguar pas shpalljes së aktgjykimit të Gjykatës Speciale, me të cilin Hysni Gucati e Nasim Haradinaj u dënuan me nga 4 vjet e gjysmë burgim.
FDHK e konsideron të bazuar aktgjykimin, por kërkon që të hetohet edhe burimi prej nga kanë rrjedhur materialet e publikuara nga krerët e OVL-së së UÇK-së, raporton Gazeta Express.
“Fondi për të Drejtën Humanitare Kosovë (FDHK) e konsideron të bazuar vendimin e shkallës së parë të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) dhe kërkon që hetimet të zgjerohen edhe ndaj personave prej të cilëve kanë rrjedhur këto materiale”.
“Veprimet e tilla duhet të parandalohen pasi që e rrezikojnë sigurinë e dëshmitarëve dhe familjarëve të tyre, ndikojnë në zvogëlimin e besimit dhe kredibilitetit të DHSK dhe mund të kenë ndikim tek dëshmitarët që të ndërprenë bashkëpunimin me Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar të Kosovës (DHSK&ZPS)”, thuhet në reagimin e Fondit për të Drejtën Humanitare.
Pas këtij vendimi, FDHK thekson se “dëshmitarët dhe viktimat në procedurën penale duhet të ndjehen të sigurtë që të dëshmojnë pranë organeve të drejtësisë mbi ato se çfarë dinë apo çfarë kanë përjetuar me qëllim të ndriçimit të së vërtetës dhe arritjen e drejtësisë”.
“Ky vendim duhet të krijojë një ambient të sigurt për dëshmitarët dhe viktimat si dhe mund të ndikojë në vetëdijesimin e personave të cilët potencialisht mund ta pengojnë administrimin e drejtësisë”, thuhet në reagimin e Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë.
Gucati e Haradinaj u dënuan me nga 4 vjet e gjysmë burgim për pengim në administrimin e drejtësisë, frikësim të dëshmitarëve dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës.