Derisa opozita e analistët po e kritikojnë ministren e jashtme Donika Gërvalla, për deklaratën e saj ndaj BE-së, Lëvizja Vetëvendosje e mbështetë atë.
Opozita po kërkon që ajo të dorëhiqet nga posti i kryediplomates së vendit.
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Anton Quni, thotë për Gazeta Blic, se nuk ka asnjë shembull që shkon aq larg sa Gërvalla, me një sjellje të tillë ndaj shteteve që e kanë mundësuar pavarësinë e Kosovës.
“Nuk kemi ndonjë shembull që shkon aq larg, në veçanti në pontonin e diplomacisë, që me shtete partnere, me shtete të cilat janë të njohura për zhvillimin e demokracisë dhe të cilat kanë qenë shumë të angazhuara që ne sot ta gëzojmë Republikën e Kosovës, të ketë një sjellje të tillë”, thotë ai.
Se a duhet të shkarkohet Gërvalla, Quni thotë se është momenti i fundit që Kurti ta bëjë këtë.
“Mendoj që ky është momenti i fundit kur kryeministri duhet të tregojë pjekuri politike dhe t’i ndërmarrë të gjitha masat që me të vërtetë të kemi ministra reprezentativ”, vlerëson deputeti i LDK-së për Gazeta Blic.
Ndërsa, lidhur me deklaratën e Gërvallës se opozita është në gjendje të mjerueshme, Quni thotë se ajo ka nisur karrierën në LDK dhe se përderisa ajo e pështyn shtëpinë e saj, tregon për natyrën e saj.
“Të gjithë e dimë se Donika Gërvalla e ka nisur karrierën e saj politike brenda LDK-së dhe përderisa vjen një situatë të tillë që ta pështyjë shtëpinë në të cilën e ka marrë atë autoritet dhe kredibilitet, kjo tregon për natyrën e saj”, deklaron deputeti Anton Quni.