Policia e Kosovës duket se nuk merret vetëm me ruajtjen e rendit dhe arrestimin e kriminelëve. Ky institucion i sigurisë me raste po merret edhe me tregti, sikurse tani që ka hedhur në shitje bateri, hekur, vaj e goma.
Qytetarët që duan të blejnë bateri, hekur, vaj e goma me një çmim special, mund të drejtohen te Policia e Kosovës, pasi ky institucion i ka hedhur tani në shitje këto produkte.
Siç është treguar në njoftimin që ka bërë Policia, vlera e tyre në total është 11 mijë e 640 euro, shkruan Demokracia.com.
Çmimi për një kg hekur është 25 centë, për bateri 70 centë, për goma 50 centë dhe për vaj 0.05 centë.
Po ashtu, Policia ka treguar edhe sa është sasia totale e secilit produkt.
“Hekur i vjetër, kg 39000. Bateri të vjetra, kg 1600. Vaj i djegur, litër 400. Goma të vjetra, copë 1500”.
Kërkesa për shitjen e tyre nga Policia është bërë nën moton “Flota operative e PK-së”
“Autoriteti Kontraktues fton oferta të mbyllura për blerje të shitja e hekurit të vjetër. Bateri të vjetra, vaj i djegur dhe goma të vjetra. Autoriteti kontraktues ka për qëllim shitjen e mbeturinave përmes ofertave publike të mbyllura. Shitja e mbeturinave shiten në kushte “siç janë, ku janë” dhe Autoriteti Kontraktues nuk do të ketë përgjegjësi të mëtutjeshme pas shitjes”, thuhet në njoftim.
Siç është bërë me dije, këto produkte mund të blihen nga çdo qytetar që ka interesim, raporton Demokracia.com.
“Ofertuesit e interesuar mund të inspektojnë për SKRAP-in që është për shitje në Baza e Logjistikës – Prishtinë, Kamenicë, Dragash, Istog, Ferizaj, Gjakovë, Mitrovicë, Kampi Vrella, Kampin Belvedere, çdo ditë pune”.
Policia ka treguar se tërheqja e materialit bëhet nga kompania fituese. Afati i tërheqjes duhet të bëhet brenda 30 ditëve kalendarike nga koha e thirrjes për kryerjen e shërbimit.