Prokurorja e rastit ka konfirmuar se gruaja që është vrarë sot në Pejë, është privuar nga jeta nga i biri i saj.
Para mediave ajo ka thënë se i njëjti është arrestuar tashmë.
“Sot me datë 14 prill 2023 rreth orës 16:00 nga sektori i hetimeve, jemi njoftuar se ka ndodhur një vrasje në qytetin e Pejës, konkretisht dyshohet se i biri ka privuar nga jeta nënën. I njëjti është arrestuar, në mënyrë që të mos i shkaktojë dikujt tjetër ndonjë dëm apo ta lëndojë vetën.” – ka thënë ajo.
Po ashtu, prokurorja ka bërë të ditur se janë marrë gjurmët dhe provat, po ashtu, janë siguruar edhe dëshmitarë okularë rreth ngjarjes.
“Kemi dalë së bashku në vendin e ngjarjes me njësitin e forenzikës, janë marrë të gjitha gjurmët, provat. Kemi urdhëruar autopsinë e të ndjerës, kemi siguruar edhe dëshmitarë okularë të ngjarjes.” – tha ajo.
Tutje, e njëjta ka deklaruar se kanë provuar që ta marrin në pyetje të dyshuarin, por nuk ka qenë në gjendje që të flasë, kështu qëdo të intervistohet sërish nesër në prani të psikologut.
“Kemi provuar që të dyshuarin ta marrim në pyetje, por nuk ka qenë në gjendje në prani të mbrojtësit. Kështu që kemi provuar që nesër në prani të psikologut dhe avokatit, ta marrim në pyetje.” – tha ajo.
Në fund, prokurorja deklaroi si vijon: “Në bazë të të gjithave rrethanave do të urdhërojmë edhe ekzaminimin në institutin e Psikiatrisë të të dyshuarit, do të vazhdojmë me hetime deri në ndriqimin e rastit”.
Ndërkohë, Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Pejës, Driton Rugova për Nacionalen ka treguar se ngjarja ka ndodhur rreth orës 16:00 dhe se vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor.
“Sot rreth orës 16:00 Policia është informuar në lidhje me këtë rast. Policia ka dalur në vendin e ngjarjes, saktësisht në rrugën “Mbreti Zog” në Pejë. Aty ka dalur edhe mjeku kujdestar i cili e ka konstatuar vdekjen e viktimës. Rasti po hetohet për “vrasje të rëndë”.- ka thënë Rugova.