Një aksident i rëndë ka ndodhur sonte në fshatin Grabanicë të Klinës, në magjistralen Pejë-Prishtinë, ku kanë mbetur dhjetëra të lënduar, tre prej të cilëve me lëndime më të rënda.
Gazeta Express ka kontaktuar me drejtorin e Përgjithshëm të Spitalit të Pejës, Skender Dreshaj, i cili ka konfirmuar që pacientë të lënduar si pasojë e aksidentit, po trajtohen në spital.
Ai ka thënë se ka pacientë me fraktura e ndrydhje në mesin e të lënduarve.
“Po trajtohen pacientë me fraktura dhe ndrydhje”, ka thënë Dreshaj për Gazetën Express.
Aksidentin në Klinë e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Pejës, Fadil Gashi, i cili ka thënë se si pasojë e aksidentit të ndodhur sonte, kanë mbetur të lënduar 16 persona.
Sipas Gashit, tre nga të aksidentuarit kanë marrë lëndime më të rënda dhe janë dërguar për trajtim në Spitalin e Pejës.
“Po, tre nga 16 të aksidentuarit, kanë marrë lëndime më të rënda dhe janë përcjell për trajtim në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës”, ka thënë ai për Gazetën Express.
Deri tani, sipas Gashit, asnjëri prej të aksidentuarve nuk është në rrezik për jetë.