Mimoza Kusari-Lila, shefe e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, ka folur në lidhje me “sanksionet” që mund t’i vendosen Kosovës nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Kusari-Lila ka shprehur qëndrimin se Kosova nuk duhet të hyjë në sanksione as nga BE-ja e as nga SHBA-ja.
“Më duhet me ritheksu se Kosova nuk do të hyjë në sanksione as të Bashkimit Evropian as të Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, ka deklaruar ajo në Debat Plus të RTV Dukagjini.
Në lidhje me përjashtimin e Kosovës nga programi ushtarak “Defender 23”, Kusari-Lila ka thënë se nuk ka qenë sanksion, pasi sipas saj, ishte si një masë reagimi për shprehjen e pakënaqësisë nga SHBA-ja.
Ajo ka kujtuar si shembull taksën 100% të vendosur në vitin 2018 nga ish-kryeministri Ramush Haradinaj për produkte serbe, e cila sipas saj, kishte pasur pasoja më dramatike.
Megjithëse vizitat e gjeneralëve ishin anuluar dhe aktivitetet të pezulluara, Kusari-Lila ka vlerësuar se kjo nuk duhet të konsiderohet si një shembull i keq.
“Sanksion nuk ka qenë, ka qenë masë, reagim, për të cilin është parë në Kosovë dhe është një formë e komunikimit të pakënaqësisë, këtë rast nga SHBA-ja. Por situatë më dramatike e kemi pasur në vitin 2018 kur, atëherë ish-kryeministri Haradinaj ka vendosur taksën 100 për din të produkteve serbe. Përveç se është anuluar vizita e gjeneralit të parë, janë pezulluar ose anuluar të gjitha aktivitet tjera”, ka deklaruar ajo.
Ajo ka përmendur se Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje ka qëndruar prapa kryeministrit në atë kohë dhe se edhe ai kishte theksuar rëndësinë e qëndrimit të fortë ndaj Serbisë.
Kusari – Lila ka thënë se me ndërkombëtarët ka pasur devijim të theksuar të komunikimit.
Ajo në “Debat Plus”, tha se sa i përket zgjedhjeve në veri, në fillim ndërkombëtarët i kishin përkrahur me deklarata publike.
“Mund të flasim vetëm në forcën e argumenteve që i posedojmë. Sa i përket çfarëdo ‘dështimi’ për diplomacinë tonë, apo komunikimin. Këtu ka një devijim të theksuar, se si të tjerët kanë komuniku me ne, sepse deri ne momentin e mbajtjes së zgjedhjeve, menjëherë pas, dhe me certifikimin, ne e kemi pasur vlerësimin pozitiv. Deklarata të cilat tregojnë keqardhje për ata që nuk kanë marrë pjesë dhe indikacione që nëse do të ketë probleme me mandatet e reja do të ketë pasoja”, ka thënë ajo.
Ajo ka thënë se Qeveria e Kosovës, ka bërë hapa përpara sa i përket ligjvënies në veri.
Kusari-Lila ka thënë se kushti i parë për zgjedhje në veri, është rendi dhe ligji. Ajo ka thënë se Qeveria e kupton se legjitimiteti i kryetarëve të rinj në veri, është i vogël por sipas saj nuk është inekzistent