Një person është vrarë dhe një tjetër ka mbetur i plagosur sot në orët e pasdites në magjistralen Ferizaj-Kaçanik.
I plagosuri, K.B është dërguar në QKUK, gjendje e tij është e rëndë.
Këtë për për Insajderin e ka konfirmuar doktoresha, Nerxhinave Halimi, derisa shtoi se pas pak pritet të hyjë në operacion.
“Gjendja e të plagosurit është shumë e rëndë. Është pranuar që dy orë e më shumë në Spital. Tash pritet të hyjë në operacion. Ai është i plagosur në qafë”, ka konfirmuar Halimi për Insajderin.
Gazeta Insajderi nga burime të sigurta, ka mësuar se personi i vrarë është 30 vjeçari, Hasan Berisha.
Ndërkohë, Prokuroria Themelore në Ferizaj ka konfirmuar se të dyshuarit të rastit ndodhen në arrati.
“Motivet për këtë ngjarje ende nuk dihen dhe të dyshuarit lidhur me këtë rast gjenden në arrati, për shkak të dyshimit se kanë kryer veprën penale ‘’Vrasja e rëndë” të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.
Me urdhër të prokurorit, trupi i pa jetë i viktimës është dërguar për obduksion, në Institutin e Mjekësisë Ligjore, ndërsa, personi tjetër i lënduar është dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) për trajtim të mëtutjeshëm mjekësor.