Ka nis në Dhomat e Specializuara të Hagës gjykimi ndaj krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Përderisa jashtë objektit të Speciales po mbahet protestë nga mërgimtarët kosovarë, gjykimi ka nisur me prezantimin e palëve në seancë.
Seanca ka nisur me një vendim të trupit gjykues, që ndërlidhet me përdorimin e disa videove të intervistave të Thaçit e Selimit që i kanë bërë me Prokurorinë e Specializuar, raporton Nacionale.
Për deklaratat hyrëse, Prokuroria ka kërkuar rreth 5 orë. Nesër pritet të fillojë me deklaratat hyrëse të avokatëve.
Në seancë janë fizikisht katër krerët e UÇK-së: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi.
Në komunikatë thuhet se është planifikuar që deklaratat hyrëse për rastin në fjalë të mbahen më 3, 4 dhe 5 prill, duke filluar prej orës 9:00 të mëngjesit.
“Duke filluar më 3 prill, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) do të bëjë deklaratën hyrëse dhe për këtë qëllim i janë caktuar më së shumti 5 orë. Më tej, është planifikuar që mbrojtësi i viktimave do të bëjë deklaratën e tij hyrëse që do të zgjasë më së shumti 45 minuta. Pas mbrojtësit të viktimave, do të bëjnë deklarata hyrëse secili prej katër ekipeve të Mbrojtjes. Është planifikuar që këto deklarata të bëhen më 4 prill”.
Kryetari i trupit gjykues, Charles L Smith ka kërkuar nga palët të respektojnë kohën, derisa ka theksuar se mbrojtësit duhet të përqendrohen në çështje që lidhen me akuzat dhe të njëjtit të shmangin deklaratat të natyrës politike.
Aktakuza ndaj ish-krerëve të UÇK-së, lidhur me pretendimin për krime lufte, është konfirmuar më 26 tetor 2020. Në paraqitjet e tyre të para në Dhomat e Specializuara në Hagë ata janë deklaruar të pafajshëm. Ata po qëndrojnë në paraburgim në Hagë prej nëntorit të vitit 2020. Më 29 prill, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Thaçit dhe të tjerëve, ku pretendon se të akuzuarit kanë kryer krime lufte në Gjilan, Budakovë e Semetisht
Gjykata Speciale ka publikuar ditë më parë emrat e disa prej viktimave, për të cilat Nacionale ka raportuar se janë përdorur edhe në Tribunalin e Hagës në rastin e Ramush Haradinajt e Fatmir Limajt. Numri total i viktimave ka kaluar në 150, përderisa qindra të tjerë janë refuzuar.
Dje në Prishtinë ka pasur një protestë ku ka pasur me qindra-mijëra qytetarë duke kërkuar drejtësi për këtë rast
Ditë më parë është bërë publike edhe dosja paraprake e Kadri Veselit. Gjykimi sipas parashikimeve, të paktën do të zgjasë 5 vjet. E gjithë kjo varet nga mënyra se si do të shkojë intervistimi i dëshmitarëve.
Krerët e UÇK-së që nga arrestimi janë në paraburgim, dhe atyre u janë refuzuar të gjitha kërkesat për mbrojtje në liri. Trupi gjykues kishte konstatuar se Prokuroria nuk i ka nxjerrë në kohë provat shfajësuese për krerët e UÇK-së.
Prokuroria ka më shumë se 300 dëshmitarë, prej të cilëve do të ketë edhe ish-udhëheqës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që do të flasin për strukturën dhe organizimin e UÇK-së.
Kujtojmë se dje një numër i madh i qytetarëve nga të gjitha komunat u bashkuan sot në Prishtinë në “Marshin për Drejtësi”, në përkrahje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që gjenden në Hagë./Nacionale/