FIFA do të prezantojë teknologji të re për të përmirësuar thirrjet për pozitë jashtë loje në Kupën e Botës në Katar këtë vit, duke përdorur një sistem kamerash për gjurmimin e gjymtyrëve të lojtarëve.
FIFA tha të premten se është gati të lansojë teknologjinë gjysmë të automatizuar për pozitë jashtë loje (SAOT), që përdor kamera të shumta për të gjurmuar lëvizjet e lojtarëve plus ka një sensor në top – dhe do të shfaqë shpejt imazhe 3D në ekranet e stadiumit në turne për të ndihmuar tifozët të kuptojnë vendimin e arbitrit.
Është Botërori i tretë rresht që FIFA prezanton teknologji të re për të ndihmuar gjyqtarët. Teknologjia e vijës së golave ishte gati për turneun e vitit 2014 në Brazil pas një gabimi famëkeq të arbitrave në vitin 2010.
Në vitin 2018, sistemi VAR u prezantua për të ndihmuar gjyqtarët të gjykojnë incidentet që ndryshojnë lojën dhe u shfaq në Rusi. Sistemi i ri për pozitë jashtë loje premton vendime më të shpejta dhe më të sakta sesa që merren aktualisht me sistemin e VAR-it, edhe pse Botërori i vitit 2018 shmangi gabimet e mëdha në vendimet për pozitë jashtë loje. Debatet janë ndezur që atëherë në ligat evropiane, veçanërisht kur zyrtarët e VAR-it tërheqin linjat në ekran mbi lojtarët për thirrje margjinale. Ato vendime janë tallur si “offside sqetullash” për shkak të margjinave të vogla.
“Megjithëse këto mjete janë mjaft të sakta, kjo saktësi mund të përmirësohet”, tha Pierluigi Collina, i cili drejton programin e arbitrave të FIFA-s dhe drejtoi finalen e Kupës së Botës të vitit 2002 në epokën para teknologjisë.
Çdo stadium në Katar do të ketë 12 kamera nën çati të sinkronizuara për të gjurmuar 29 pika të dhënash në trupin e secilit lojtar 50 herë në sekondë.
Të dhënat përpunohen me inteligjencë artificiale për të krijuar një linjë për pozitë jashtë loje 3D që i sinjalizohet ekipit të zyrtarëve të VAR-it. Një sensor në topin e ndeshjes gjurmon nxitimin e tij dhe jep një “pikë goditjeje” më të saktë – kur luhet pasimi vendimtar – për t’u lidhur me të dhënat e vijës për pozitë jashtë loje, tha drejtori i inovacionit të FIFA-s, Johannes Holzmueller nëpërmjet një konference në internet. Sigurimi i ngjarjes më të madhe të futbollit është një vitrinë për përparimin teknologjik – dhe shmangien e gabimeve të dukshme që jetojnë në njohuritë e Kupës së Botës – ka qenë një synim i FIFA-s për një kohë të gjatë.
Topi i goditur nga Frank Lampardi i Anglisë që kaloi vijën e portës kundër Gjermanisë në vitin 2010, por që nuk u pranua si gol, pothuajse menjëherë i dha fund kundërshtimit të presidentit të atëhershëm Sepp Blatterit për t’u dhënë gjyqtarëve ndihma teknologjike. Më vonë po atë ditë në Afrikën e Jugut, një vendim qartësisht i pasaktë për pozitë jashtë loje, e lejoi Carlos Tevezin të shënonte golin e parë të Argjentinës në fitoren 3:1 ndaj Meksikës në 1/8 e finales.
Në vitin 2014, Bosnjë-Hercegovina nuk arriti të avanconte nga grupi në Botërorin e saj të parë, pasi goli i hershëm i sulmuesit Edin Xheko kundër Nigerisë u gjykua gabimisht për pozicion jashtë loje. Nigeria fitoi 1:0. Përpjekja e FIFA-s për të përgatitur teknologjinë e re “offside” për Kupën e Botës u ngadalësua nga pandemia COVID-19. Provat e drejtpërdrejta në lojë u zhvilluan në Kupën Arabe në Katar dhjetorin e kaluar dhe Kupën e Botës për Klube të FIFA-s, që u luajt në shkurt në Emiratet e Bashkuara Arabe. Brenda sekondave pas një pozicioni të mundshëm për pozitë jashtë loje, një anëtar specialist i ekipit VAR mund të kontrollojë në mënyrë manuale linjën e krijuar nga të dhënat për sulmuesit dhe mbrojtësit, si dhe pikën e goditjes së pasimit, tha Holzmueller. I takon zyrtarit të lartë të VAR-it që të njoftojë arbitrin e ndeshjes për vendimin e duhur me lidhjen e tyre audio. Kjo duhet të zgjasë nga 20 në 25 sekonda krahasuar me një mesatare prej 70 sekondash aktualisht për një thirrje komplekse për pozitë jashtë loje.
“Ndonjëherë kohëzgjatja e kontrolleve të rishikimeve të situatave të diskutueshme është pa dyshim shumë e gjatë”, tha Collina, duke pranuar se vonesat prishin rrjedhën e ndeshjeve. “Për zyrtarët e VAR-it koha fluturon, por për pjesën tjetër – trajnerët, lojtarët, spektatorët – është krejtësisht ndryshe”.
Të njëjtat animacione 3D të thirrjeve për pozitë jashtë loje që do të përdorin në dhomën e VAR-it duhet të jenë më pas në dispozicion për transmetuesit dhe të shfaqen në ekranet e stadiumit, me gjasë gjatë ndalesës tjetër në ndeshje. Collina është entuziast për teknologjinë, më pak për përshkrimin e përdorur shpesh si “arbitra robotë”.
“E kuptoj që ndonjëherë kjo është shumë e mirë për titujt e gazetave, por nuk është kështu”, tha zyrtari italian, duke mbrojtur elementin kyç njerëzor të vendimmarrjes në futboll.
Collina gjithashtu ra dakord se teknologjia e përmirësuar nuk do t’i japë fund dashurisë së futbollit për polemikat dhe debatin e incidenteve kryesore.
“Do të ketë ende vend për diskutim”, garantoi Collina.