Numri i rasteve të dhunës në familje ka marrë përmasa shqetësuese në vendin tonë, pasi çdo ditë persona të ndryshëm përfundojnë në pranga si të dyshuar për dhunë ndaj familjarëve. Këto raste bëhen edhe më të rënda, kur viktima janë prindërit të cilët përjetojnë dhunë psikike e fizike nga fëmijët e tyre.
Një rast i rëndë ka ndodhur dje në një familje në Ferizaj, ku një 23-vjeçar dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj babait të tij.
Sinjali mëson se 60-vjeçari e ka denoncuar rastin në Polici, ku ka deklaruar se pas një konflikti verbal me djalin, i njëjti e ka sulmuar fizikisht, duke e goditur me grushte.
Për pasojë, viktima ka pësuar lëndime trupore – por edhe shqetësim e frikë.
Si rezultat i denoncimit, i dyshuari është arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor, ku është intervistuar nga hetuesit policorë.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, i riu është dërguar në mbajtje dhe rasti është iniciuar si ‘Dhunë në familje’.