Drejtori i FBI-së, Kash Patel, ka njoftuar se agjencia ka nisur një hetim për një rritje të aktivitetit të dhunshëm ndaj kompanisë Tesla. Sipas Patel, FBI ka ndërmarrë hapa të mëtejshëm për të hetuar këto incidente dhe e ka cilësuar si “terrorizëm të brendshëm.”
“FBI ka hetuar aktivitetin e dhunshëm kundër Teslës. Ata që janë përgjegjës do të kapen dhe do të sillen para drejtësisë,” tha Patel, sipas Reuters.
Ky hetim vjen pas një sulmi në një parking të Tesla-s në Las Vegas, ku një person i panjohur ka vënë flakën disa makinave Tesla me kokteje molotov dhe ka qëlluar me armë në drejtim të makinave të ekspozuara. Presidenti Donald Trump dënoi këtë akt dhe tha se sulmuesit mund të përballen me dënime deri në 20 vjet burgim, transmeton Klankosova.tv.
Tesla, që drejtohet nga miliarderi Elon Musk, ka qenë shpesh objektiv i protestave në Shtetet e Bashkuara, për shkak të politikave të Musk lidhur me shpenzimet e qeverisë dhe largimet nga puna në disa sektorë. Hetimet për këtë incident vazhdojnë, dhe autoritetet po punojnë për të identifikuar dhe ndëshkuar personat përgjegjës.