Universiteti i Gjakovës “Fehmi Agani” është në procesin e zgjedhjes së rektorit të ri.Sipas njoftimit të Këshillit Drejtues të Universitetit “Fehmi Agani”, kandidatët të cilët i kanë plotësuar kushtet formalo-juridike për konkurrim dhe të cilët do të intervistohen nga Këshilli Drejtues, janë:
Prof.Ass.Dr. Drilon BunajkuProf.Asoc.Dr. Haxhi Kamberi
Prof.Asoc.Dr. Kimete CanajProf.Asoc.Dr. Rifat Morina.
Po ashtu, sipas Këshillit, intervistimi i kandidatëve do të bëhet me datë 16.08.2023 (e mërkurë), duke filluar nga ora 11:00, në objektin e rektoratit të Universitetit “Fehmi Agani” Gjakovë sipas agjendës së miratuar nga Këshilli Drejtues.Por, Prof.Ass.Dr. Drilon Bunajku, fillimisht ishte vlerësuar se nuk i përmbush kriteret për të konkurruar për këtë pozitë.
Kështu ka vlerësuar Komisioni Profesional, dokumentin e të cilit e ka siguruar Gazeta Blic.Në të thuhet se Drilon Bunjaku nuk ka përvojë menaxhuese universitare.
Gjatë vlerësimit Komisioni Profesional kishte ardhur në përfundim që z. Drilon Bunjaku nuk i plotëson kriteret bazë për konkurrim për pozitën e rektorit. Krejt kjo ngase për këtë pozitë kërkohet që kandidati të ketë 5 përvojë mësimdhënieje si profesor dhe dy vite menaxhim, çka z. Bunjaku i mungonte, për çka komisioni e kishte refuzuar kandidaturën e tij dhe kishte njoftuar Këshillin Drejtues për tre kandidatët që plotësonin kriteret e kërkuara në konkurs dhe për një kandidat i cili nuk mund të vijonte garën për rektor.Rektorati i Universitetit kishte njoftuar kandidatët të cilët e kishin kaluar procedurën e parë, për çka z. Bunjaku kishte shtruar ankesë. Komisioni e kishte refuzuar ankesën e z. Bunjaku duke e argumentuar me mosplotësimin e kritereve. Por si duket kryetarja e Këshillit Drejtues të Universitetit, mësuesja Majlinda Haxhikadrija – Ramadani nuk ishte e kënaqur me listën e propozuar të Komisionit Profesional dhe – sipas burimeve të Gazeta Blic brenda universitetit – me kërcënim kishte kërkuar që në listë të futet edhe z. Bunjaku.
Por, në shpalljen e kandidatëve të cilët ftohen në intervistë, këshilli aty kishte i ftuar edhe kandidati i refuzuar nga Komisioni Profesional z. Drilon Bunjaku, ankesën e të cilit – duke dhënë shenjë që si duket ankesën e tij e kishte aprovuar Këshilli Drejtues i UGJ.
Në këtë kontekst pranimi i ankesës nga këshilli paraqet shkelje ligjore edhe të shkelje të nenit 27, pika 4 të statutit të UGJ në të cilin thuhet: “Komisioni profesional i zgjedhur nga Senati propozon listën prej kandidatëve të zgjedhur me shumicë votash, për tu zgjedhur nga Këshilli Drejtues”. Gjithashtu në nenin 23, pika 1.9 thuhet që Këshilli Drejtues duhet: “të zgjedhë rektorin nga lista e emrave të propozuar nga Komisioni Profesional prej pesë (5) anëtarëve i emëruar nga Senati”. Gjithashtu duke ftuar në intervistë edhe kandidatin që nuk i plotëson kushtet këshilli drejtues shkel edhe nenin 27, pikën 5 të Statutit ku thuhet: “këshilli drejtues interviston kandidatët të cilët i kanë plotësuar kushtet për konkurrim në këtë post […]”
Por pse ky insistim dhe të gjitha këto shkelje për një kandidat që nuk plotëson as kriteret për konkurrim?1 Për çudi, duke pasur parasysh që kryeministri dikur mendonte që farefisi duhet të jenë për dasma, Drilon Bunjaku duket të jetë i preferuari i ministres Nagavci, pasi që ky del të jetë familjar i zv ministres së shëndetësisë, Dafina Gexha – Bunjaku.Lidhur me këtë konkurs, Rektori i shkarkuar i Universitetit të Gjakovës, Artan Nimani, njëherësh anëtar i Komisionit Profesional, ka treguar për Gazeta Blic për shpalljen e konkursit, anulimin e tij e më pas rishpalljen për herë të tretë dhe vlerësimin e Komisionit Profesional për kandidatët.
“Më kanë shkarkuar, e kanë shfrytëzuar mundësinë, i kanë bërë numrat dhe lënda është në gjykatë. Ata kanë vazhduar me procedurat e zgjedhjes së rektorit, e kanë shpallur konkursin. Kam aplikuar edhe herën e dytë me konkurs, prapë për shkak të emrit tim, e kanë anuluar kundërligjshëm konkursin, e kanë shpallur për herë të tretë. Tash në herën e tretë, ne senati, unë si kryesues i senatit e kemi formuar komisionin profesional i cili komision e ka bërë vlerësimin e kandidatëve, dosjeve të tyre dhe i ka propozuar tre emra, tre profesorë të asocuar, emra të respektuar dhe Drilon Bunjaku ka aplikuar por nuk i ka plotësuar kushtet, ai ka më pak se gjashtë muaj përvojë si menaxher në Institut, edhe pse Instituti nuk llogaritet si pozitë menaxhuese universitare dhe ka më pak se 2 vite që është profesor. Dhe nga përvoja e di që për t’u zgjedhur asistente e rektorit duhen 5 vjet përvojë pune, e lërë më rektori. Por, Këshilli Drejtues në mënyrë të paligjshme e ka thirrur në intervistë, edhe pse s’ka kaluar përmes Komisionit”, shprehet ai.Nimani thotë se kjo është punë për Prokurorinë, pasi është vepruar kundërligjshëm, duke bërë shkelje, derisa ai kandidat nuk i plotëson kushtet, por që thotë se nuk e di nëse është familjar i zv ministres së shëndetësisë, Dafina Gexha – Bunjaku.
“Kjo është punë për Prokurorinë, më së paku është punë për ne, pasi askush s’ka të drejtë që t’i anashkalojë rregullat dhe të vendosë vetë se kë ta marrë në intervistë, është procedurë ligjore që është e rregulluar me statut e me ligj. Por, unë e pashë njoftimin në faqen e Universitetit. Ata nuk kanë komunikuar me mua si kryesues i senatit. Po duan të vendosin masa të dhunshme, le të vendosin. Ai është i preferuari i ministres. Ka pasur presion te Komisioni që të futet emri i tij kundërligjshëm por Komisioni e ka ruajtur integritetin profesional dhe personal. Kjo është më shumë çështje ligjore, se sa për ne, është çështje për Prokurorinë. Këta kanë bërë shkelje, nuk e di si kanë guxuar. Lëri raportet familjare, por ai nuk i plotëson kushtet formale. Senati nuk e ka rekomanduar atë kandidat, pasi nuk i plotëson kushtet”, deklaron Artan Nimani.Ndërsa, anëtari tjetër i Komisionit Profesional, Labinot Berisha, në një prononcim për Gazeta Blic, thotë se lista e kandidatë nga Komisioni Profesional dhe ajo e publikuar nga Këshilli Drejtues nuk janë të njëjta, pasi ky i fundit ka shtuar një kandidat.
“Si anëtar i Komisionit Profesional mund të konfirmoj se lista që është publikuar në ëebfaqe, nuk është e njëjtë me atë që e ka dërguar Komisioni. D.m.th është shtuar një kandidat, për momentin nuk e di se cili kandidat është shtuar, por e di që Këshilli Drejtues i ka ftuar katër veta, ndërsa ne si Komision i kemi dërguar tre emra. Sa i përket informatave tjera mund t’i pyesni ata që kanë vepruar ashtu, ata e dinë më mirë. Unë mund të të konfirmoj që lista nuk është e njëjtë me atë që e ka përpiluar Komisioni Profesional me atë të publikuar në faqe”, thekson ai.Sipas Berishës, kjo nuk është e lejuar me rregullore dhe nuk kanë të drejtë të veprojnë kështu, por pse e ka bërë këtë e dinë vetë ata.
“Me rregullore, si e përcakton statusi, e kemi verifikuar se nuk kanë të drejtë të veprojnë kështu sepse janë dy pushtete, është Senati dhe Këshilli Drejtues. Sipas meje, nuk mund ta bëjë përzgjedhjen Këshilli Drejtues dhe ta zgjedh vetë sepse është konflikt interesi, për atë është paraparë që Komisioni ta bëjë listën përpiluese dhe Këshilli Drejtues ta bëjë përzgjedhjen. Sipas meje, ata vetë e kanë futur personin dhe vetë e zgjedhin, që është konflikt interesi”, deklaron anëtari i Komisionit Profesional.Ndërsa, lidhur me atë se a është Drilon Bunjaku familjar i zv/ministres së shëndetësisë, ai thotë se nuk ka informacione.
“Për atë nuk e di, nuk merremi me atë kush çka është”, thotë Labinot Berisha.