Kosova edhe më tej po sfidohet me mungesë të informacioneve për varreza masive. Serbia vazhdon të mbajë të politizuar çështjen e personave të pagjetur pa treguar se ku janë eshtrat e mbi 1600 personave. Gjatë vitit që shkoi, familjarëve u janë dorëzuar për varrim, eshtrat e vetëm 25 personave. Ata bëjnë thirrje që faktori ndërkombëtar të bëjë presion mbi Serbinë, e jo të luaj vetëm rolin e lehtësuesit të dialogut. Vitin e kaluar është trajtuar me prioritet gërmimi i varrezave masive në Kizhevak të Serbisë, ndërkaq, në Kosovë është punuar në nëntë lokacione të ndryshme ku janë zhvarrosur vetëm dy trupa. Në tetor të vitit të kaluar u rivarrosën nëntë martirët e masakrës së Rezallës të ekzekutuar në prill të vitit 1999.
Tash e më shumë se dy dekada nuk di gjë për fatin e djalit të tij edhe Bajram Çerkini. Udhëheqësi i shoqatës “Zëri i Prindërve”, shprehet i pakënaqur me punën e institucioneve në zbardhjen e fatit të të pagjeturve. Në Bruksel, siç thotë ai, nuk shkohet pa strategji dhe plan-program se si të trajtohet kjo çështje.
“Qeveria e Kosovës e flet një fjalë që nuk na pëlqen, kur thotë adresa e personave të pagjetur është në Beograd. Jo ne familjarët, por edhe ai që e ka kryer klasën e tretë fillore e dinë se krimet i ka bërë Beogradi, Slobodan Millosheviqi dhe kriminelët. Dhe si shumicë, 1620 persona janë në territorin e Serbisë. Pse po më thoni Beogradi i ka. Beogradi po, por ti punët brenda nuk i ke kryer, punët, lokacionet brenda nuk i ke kryer. ‘I kam gjetur të grumbulluara’, i ke gjet po duhet t’i ‘zhgrumbullojnë’. Duhet me pas një plan-program, duhet të ketë një strategji. Nuk po mundemi të bëjmë strategji, por unë si shoqatë kam bërë strategji trevjeçare, edhe ju si shtet duhet të keni një strategji. Duhet t’i thoni prokurorisë kaq lokacione”, deklaroi Çerkini për KosovaPress.
Kushtrim Gara nga Komisioni Qeveritar për të Pagjeturit thotë se gjatë vitit të kaluar ka qenë prioritet procesi i gërmimeve në Kizhevak, ku në nëntor të vitit 2020 ishte konfirmuar ekzistimi i varrezës masive dhe mbetjeve mortore.
“Si rezultat i punës dhe gërmimeve të realizuara në lokacionin e varrezës masive në Kizhevak gjatë vitit 2020 dhe në mënyrë të veçantë, në nëntor, dhjetor 2020, pas konfirmimit të ekzistimit të varrezës masive, por edhe gjatë pjesës së parë të vitit (2021), në mënyrë të veçantë gjatë muajit maj të vitit 2021, janë gjetur dhe zhvarrosur eshtra të nëntë personave, viktimave të luftës. Nga të cilat kanë qenë shtatë identifikime të reja dhe dy raste ribashkimi. Këto raste ribashkimi i takojnë eshtrave që janë varrosur në varrezën masive në Rudnicë të Rashkës gjatë vitit 2014”, thotë ai.
Për procesin e gërmimeve që janë realizuar që nga paslufta, tregon ish-drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore, Arsim Gërxhaliu. Ai flet për vështirësitë e gërmimeve në Kizhevak të Rashkës.
“Aty kemi pasur një ndryshim të madh të lokacionit, ka qenë një vend ku janë hedhur mbeturinat nga një minierë në afërsi, ku është një vend që zakonisht serbët i ka shfrytëzuar për të fshehur gjurmët e krimit. Sikurse Rudnica, Shtavali që pritet të hapet. Pra, thjesht në vitin e gjashtë duke falënderuar fotografive satelitore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e cila faktikisht po i mbulon imazhet satelitore, u gjet edhe vendi i saktë i atij lokacioni”, thotë Gërxhaliu.
Nga Kizhevaku janë gjetur nëntë trupa të viktimave shqiptare. Krahas gërmimeve në këtë vend, janë gërmuar edhe disa lokacione të tjera
“Gjatë vitit (2021) kanë të paktën nëntë lokacione në të cilat kemi qenë të angazhuar. Po përdor fjalën të paktën nëntë lokacione, për shkak se nënkupton jo vetëm disa ditë punë por edhe javë të tëra. […] Nga këto nëntë lokacione vetëm dy kanë rezultuar me gjetjen dhe zhvarrosjen e mbetjeve mortore të dy personave. Për shkak se disa prej rasteve vazhdojnë të janë në procedurë të identifikimit pas analizave të ADN-së. Numri më i madh i lokacioneve ka qenë negativë. Kjo edhe një herë konfirmon që gjatë këtij viti (2021) sfidë në procesin e ndriçimit të fatit të personave të pagjetur vazhdon të jetë mungesa e informacioneve të besueshme. Dhe mungesa e informacioneve të besueshme sigurisht që ndërlidhet me mungesën e bashkëpunimit jo të mjaftueshëm të palës serbe”, deklaron ai.
As këtë vit nuk hyri në listën e të gjeturve, djali i Bajram Çerkinit, i cili është i pakënaqur me numrin e varrezave masive të gërmuara deri më tani.
“Keni thënë 16 lokacione, sa lokacione i keni hapur. Ma përmendin mua Drenin, por Bajram Çerkini u kanë në Dren kur ka qenë zyra e Ademit gjallë, në Kalludër e në të gjitha varrezat masive që janë masive në Kosovë, por punë nuk ka, rezultate nuk ka. A dinë çfarë thonë ‘15 i kemi kthyer’. Po bre i keni kthyer në atë Kizhevak nëntë veta. Edhe atë me imazhe satelitore, e jo me dëshirë të Velko Dalloviqit që ka treguar që këtu janë. Edhe pse e ka ditur, në fillim ka thënë janë nëntë persona më shumë nuk ka. Ku janë more të tjerët, ata e dinë që kanë shkuar dy kamionë, ne kemi thënë 420, ata kanë thënë 250. Merreni me mend thonë se janë të kënaqur, Kizhevak, Kizhevak. Mos more”, kritikon Çerkini ekzekutivin.
Edhe eksperti mjekoligjor, Arsim Gërxhaliu thotë se duhet punë dhe kapacitete më të mëdha në procesin e zbardhjes së fatit të të pagjeturve.
“Ka nevojë për një punë shumë më të madhe në terren dhe riaktivizimit të rasteve, sidomos nga viti 1999 deri në vitin 2003. Sepse në këtë periudhë i kemi diku mbi gjashtë mijë raste, prej të cilave 4019 ka punuar Tribunali i Hagës pa analiza të ADN-së dhe mbi 2 mijë raste të cilat i kanë varrosur në mënyrë vetanake, pa analizë dhe pa autopsi. Procesit duhet t’i kthehemi retrograd. Është një punë e madhe dhe nevojitet edhe dijeni, eksperiencë, planifikim edhe një kosto që duhet të përgatitet se duhet të dalin shumë persona në terren”, shprehet Gërxhaliu.
Udhëheqësi i Qendrës Burimore për Persona të Zhdukur, Bajram Çerkini, i bën thirrje ndërkombëtarëve që të bëjnë presion dhe të kushtëzojnë Serbinë të tregojë se ku janë eshtrat e mbi 1600 personave të zhdukur.
“Ne duhet të bëjmë presion te ndërkombëtarët edhe atij në Bruksel t’i thuhet ‘zotëri ne nuk mundemi kështu më të bisedojmë, ne jemi për interesat e familjarëve për kthimin e tyre që me i gjet’. Është shekulli 21, është Kosova e vogël. I keni marrë, kemi fotografi që i keni marrë, kemi njerëz të gjallë që i njohin kriminelët. Unë për vete po flas, ne i njohim, e dimë kush i ka marrë. Unë e di kush ma ka marrë djalin, i kam dhënë emrat, mbiemrat. Tetë persona, dy vajza dhe gjashtë meshkuj i kanë marrë. Sa u bë hulumtimi i tyre me adresë timen më duhet të them haptas, një kriminel është gjetur në territorin e Novisadit është varrosur para një muaj dite. Pse more nuk punojnë këta”, përfundon Çerkini.
Komisioni për Personat e Pagjetur synon që këtë vit të nis punën në pesë vende ku ka urdhëresa dhe dyshohet për varreza masive në Kosovë, e po ashtu për dy të tjera në Serbi.
Rreth 6500 persona kanë qenë të zhdukur pas përfundimit të luftës. Që nga ajo kohë janë kryer disa zhvarrime në varreza masive në Kosovë dhe Serbi dhe deri më tash janë gjetur rreth 70 përqind e të zhdukurve. Megjithatë, ende nuk dihet se ku ndodhen eshtrat e mbi 1600 personave /GazetaPapirus.com/