Afrim Kasolli, ish-deputet i Lëvizjes Vetëvendosje ka treguar një bisedë që ka pasur në vitin 2004 me tash kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Biseda ndërlidhej me disa fushata që UNMIK-u i bënte për faljen e krimeve që Serbia kishte kryer në Kosvoë.
Kurti ia kishte kërkuar një opinion Kasollit lidhur me këtë situatë.
“I interesonte mendimi im se si duhej të ballafaqoheshim në lidhje me këto kërkesa morbide të bashkësisë ndërkombëtare. Çdo gjë reduktohej në kategorinë e të drejtave të njeriut. Thuajse ne ishim njerëz pa histori, pa identitet nacional dhe pa trashëgimi”, ka shkruar Kasolli në rrjete sociale.
“Opinioni im ishte i ndërtuar mbi tri parime kryesore. E para se kjo nuk mund të kaloje, sepse ne fillimisht jemi diskriminuar, persekutuar, shtypur dhe luftuar nga shteti serb, para se gjithash sepse ishim shqiptarë. Prandaj, në këtë rast nuk mund të mbrohej asnjë e drejtë njerëzore dhe universale, pa e marrë në konsideratë dimensionin konkret të tyre. Pra projekti gjenocidial i Serbisë ishte i drejtuar kundër shqiptarëve dhe rezistences sonë për t’ u mos asimiluar dhe dorëzuar dhe jo njeriut në përgjithësi si qenie abstrakte”, thekson më tutje ai.
“E dyta pa kërkuar Serbia falje as që ia vlen të flitet për këtë temë. Sepse ne nuk mund ta shlyejmë këtë trashegimi me një të rënë të lapsit. Por edhe sikur ajo të kërkonte falje ne mund të falim nën emrin tonë personal. Por nuk kemi asnjë të drejtë morale që të falim nën emrin e vuajtjeve të viktimave. Dhe e treta përpjekja për të ndërtuar çfarë do llojë paqe që i mungon drejtësia është e destinuar të dështojë”, deklaron Kasolli.
Por, cila ishte përgjigja e Kurtit atëherë dhe cila sot?
“Albin Kurti, atëbotë larg pushtetit dhe vetëm si një aktivist i zakonshëm u solidarizua plotësisht me këto konstatime. Madje pat filluar t’i konsideronte si imperative afirmimin e tyre ndaj asaj përpjekje për të instaluar një harresë të organizuar”, ka shkruar Kasolli.
“Por, kujt do t’i shkonte mendja se zhvlerësimin e kësaj trashëgime, që nuk arriti dot ta bënte as UNMIK-as, as EULEX- i, dhe askush tjetër, do të pajtohej ta marr përsipër pikërisht Albin Kurti, tani si kryeministër i Kosovës, me anë të marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë, duke u zotuar se do të angazhohet për të” kapërcyer trashëgimin e së kaluarës”, theksoi ai.