Eurodeputeti holandez, Thijs Reuten ka bërë thirrje të fuqishme që Këshilli i Bashkimit Evropian të heqë pengesat dhe të pranojë aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE.
Në një fjalim të mbajtur në Parlamentin Evropian, Reuten theksoi se Kosova është një partner që ndan vlerat dhe perspektivën gjeopolitike të BE-së, dhe se bllokimi i aplikimit të saj për anëtarësim është i papranueshëm.
“Kosova është partneri ynë, ndan vlerat tona dhe ka të njëjtin orientim gjeopolitik. Megjithatë, Këshilli i BE-së vazhdon të bllokojë pranimin e thjeshtë të kërkesës për anëtarësim të këtij partneri. A kështu trajtohet një partner?” u shpreh Reuten, duke kritikuar qëndrimin e Këshillit.Ai i bëri thirrje BE-së të heqë masat kufizuese, të normalizojë marrëdhëniet mes të gjitha vendeve anëtare dhe Kosovës, si dhe të njohë zyrtarisht shtetësinë e saj.
Reuten propozoi gjithashtu që, edhe pa miratimin e Këshillit, Komisioni Evropian mund të nisë përgatitjen e opinionit për aplikimin e Kosovës, si një hap drejt integrimit të mëtejshëm.
Kosova ka dorëzuar zyrtarisht aplikimin për anëtarësim në BE më 15 dhjetor 2022, por procesi mbetet i bllokuar për shkak të mosnjohjes së pavarësisë së saj nga Serbia dhe pesë vende anëtare të BE-së: Qipro, Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja.//GAZETA PAPIRUS/