Zhvillimet mbi operacionin e autoriteteve belge “duart e pastra” që nisi të premten, për një rast korrupsioni lidhur me financimet nga Katari ndaj personave të lidhur me Parlamentin Europian kanë qenë të vrullshme.
Ndërkohë bëhet e ditur se nënkryetarja greke Eva Kailin është figurë qendrore e këtij skandali që ka përfshirë institucionet në Bruksel.
Fati i eurodeputetes greke dhe një prej 14 nënkryetareve të Parlamentit Europian, Eva Kaili, mbetet i paqartë që prej ditës së djeshme, kur u njoftua se do të merret në pyetje. Pothuajse në të njëjtën kohë, autoritetet belge, sipas gazetës Le Soir, publikuan se u arrestuan edhe dy eurodeputetë të tjerë.
Megjithatë, një vello misteri e mbulon çështjen në lidhje me pjesën e eurodeputetes greke. Informacionet nga autoritetet belge bëjnë me dije se pasditen e sotme do të ketë njoftime zyrtare për rastin. Informacioni është ende kontradiktor.
Në të njëjtën kohë, burime nga Brukseli, bëjnë të ditur se ajo po merret në pyetje në prani të avokatit të saj. Raportimet flisnin për zbulimin e një sasie të madhe parash në shtëpinë që ajo mban me partnerin e saj. Nga ana tjetër, bashkëpunëtorë të afërt të eurodeputetes deri mbrëmë, mohonin informacionet për ekstradim, duke thënë se ajo ndodhet në shtëpi. Diçka që nuk është konfirmuar deri më tani.
“Le Soir” flet thjesht për marrjen në pyetje të saj në lidhje me rastin në fjalë. Të njëjtën gjë raportojnë edhe dy korrespondentë të gazetës franceze Le Monde në Bruksel, të cilët nuk e përjashtojnë mundësinë që ajo të jetë nën akuzë.
Disa persona janë ndaluar për t’u marrë në pyetje dhe mund të përballen me akuza. Mes tyre edhe Eva Kaili”, theksojnë ata.
Përkundrazi, belgia “L’Echo” flet për arrestimin e eurodeputetes. Në të njëjtën gazetë thuhet se në shtëpinë e saj janë gjetur valixhe me para, ndërsa në pyetje është edhe babai i saj, pasi i është gjetur një valixhe me para CASH në makinë.
Një informacion i ngjashëm u raportua mbrëmjen e djeshme edhe nga Agjencia Franceze, e cila pretendonte se Kaili ishte arrestuar.