Emisari i ShBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha se e mbështesin Ballkanin e Hapur.
Këtë iniciativë, ai e sheh si përpjekje për integrim në Bashkimin Evropian, shkruan gazeta online Reporteri.net.
“Ne mbështesim nismën e Ballkanit të Hapur, mbështesim përpjekjet tuaja për t’u integruar më pranë fqinjëve tuaj dhe në Bashkimin Evropian. Ne vërejmë shumë gjëra pozitive. Tani, ka ende gjëra që mund të bëni që do të ndihmonin në përmirësimin e klimës së investimeve, veçanërisht në lidhje me gjykatat tregtare dhe pavarësinë e gjyqësorit. Por tani për tani, marrëdhënia, marrëdhënia tregtare është vërtet në rrugën e duhur dhe ne shohim gjëra të rëndësishme që po ndodhin mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë”, tha Escobar në Top Channel.
Escobar deklaroi se marrëveshja e Brukselit dhe aneksi i zbatimit i arritur në Ohër ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është një marrëveshje historike që i paraprin normalizmit të marrëdhënieve mes dy palëve.
Ai u shpreh se Shqipëria luan një rol të rëndësishëm në stabilitetin rajonal, ndaj sipas tij kjo është edhe një ndër arsyet e vizitës së tij në Tiranë.
“Vizita ime këtu nuk është absolutisht e lidhur me zgjedhjet lokale. Është pjesë e konsultimeve të rregullta që kemi me aleatët e ngushtë. Dhe Shqipëria është një aleate e ngushtë. Më duhet të them se për sa i përket çështjes Kosovë-Serbi, ajo që kemi në këtë Marrëveshje të re të Normalizimit është një marrëveshje historike për marrëdhënie miqësore, konstruktive mes dy partnerëve që nuk kanë pasur shumë besim. Ajo marrëveshje, e cila u bë e mundur nga Bashkimi Evropian, e mbështetur nga Shtetet e Bashkuara, u mbështet pothuajse në çdo aspekt nga vendet e rajonit. Negociatat u zhvilluan në Maqedoninë e Veriut dhe nuk do të kishte ndodhur pa mbështetjen e tyre. Por ajo u mbështet edhe nga qeveritë e Shqipërisë dhe Kroacisë dhe të tjerë në rajon. Dhe ne shohim një rol shumë të rëndësishëm për Shqipërinë në stabilitetin rajonal. Dhe kjo është e vërtetuar”, deklaroi Escobar.