Emisari amerikan, Gabriel Escobar, sot në Beograd përsëriti se formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është “kërkesë ligjore” për Qeverinë e Kosovës.
Për çështjen e Asociacionit, Escobar tha se Kosova do ta bëjë atë, por se pyetja është nëse e bën me qeverinë aktuale apo atë të ardhshme.
“Në një moment, nëse Kosova dëshiron të ecë përpara me integrimin e saj, ajo duhet ta formojë Asociacionin. Pyetja është se a do të ndodhë kjo me këtë qeveri apo me qeverinë e ardhshme”, tha Escobar, raporton REL.
Sipas tij, të dyja palët – Kosova dhe Serbia – duhet të përqendrohen në planin e zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit për normalizimin e marrëdhënieve dhe të ecin përpara me Asociacionin.
“Unë ende mendoj se mund t’i kemi të gjitha elementët, shumicën e elementeve, të realizuara këtë vit kalendarik”, tha Escobar.
I pyetur nëse sheh ndonjë ndikim të Rusisë në këtë situatë, ai tha se Rusia përfiton nga përçarjet brenda Evropës dhe se ajo nuk është e interesuar të shohë zgjerim të Bashkimit Evropian.
“Ajo që po ndodh tani në Kosovë, është një problem i pazgjidhur prej kohësh mes grupeve të ndryshme. Ai ka ekzistuar para krizës aktuale në Ukrainë, por kriza në Ukrainë e bën më të rëndësishëm për t’u zgjidhur. Por, [problemi] nuk gjeneron tërësisht nga Rusia”, tha Escobar