Kryetari i bashkisë së Tiranës Erion Veliaj në rrjete sociale ka shprehur mirënjohjen për të gjithë ata që e mbështesin, ndërsa bën me dije se prokurori Olsi Dado i ka ndaluar çdo takim dhe komunikim, përveç pusullave ditore me avokatët.
Postimi i plotë:
Mirëdita dhe mirënjohje të gjithëve për mbështetjen. Jam thellësisht i prekur nga mesazhet inkurajuese nga të katër anët!
Momentalisht, përndjekësi i familjes sime për llogari të Sali Fundërrinës, Ols Dado, fytyrën e të cilit ju e patë vetëm një fraksion minuti në replikat e turpshme në thertoren e Erion Banit, më ka ndaluar çdo takim e komunikim. Kam vetëm këto pusulla ditore me avokatët, deri ditën kur do mund t’ju përqafoj të gjithëve ju, e të merrem me zë e me figurë me këta burra të paburra.
Disa më çojnë porosi që ta ul pak gjuhën, jo se prokurori ndërtues hakmarrës nuk e meriton, përkundrazi, por që “të mos çmëndet më keq dhe ta punon më keq”. Jo se adashi kasap s’e meriton, por që “të mos të të qepet më keq se e ka ves të keq”.
Po çfarë mund të më bëjnë më shumë? Të më dënojnë me vdekje? Se në burg jam e jam! Olsi nuk më hetoi, po më hyri nga vrima e çelësit në jetën time dhe në fustanët e gruas time, me një LETER ANONIME që s’është çudi ta ketë shkruar vetë ose ta ketë marrë të shkruar nga maniakët e Sali Fundërrinës!
Ore a e keni dëgjuar ndonjëherë vrasësin e 21 janarit dhe Remzi Hoxhës, kriminelin e Gërdecit, burgosësin e liderit të opozitës, zjarrvënësin e gazetës “Koha Jonë”, druvarin mbi kurrizin e opozitarëve dhe gazetarëve, hajdutin e zgjedhjeve të 1996-ës, 2009-ës dhe 2011-ës në Tiranë, bashkëthemeluesin e piramidave me Suden dhe Vebi Alimuçën, pompistin e naftës së Millosheviçit, besëprerin e Azem Hajdarit, gllabëruesin e Klubit Partizani, shokun e idealeve të Rezar Taçit dhe grepsin e lekëve të fëmijëve autikë, pra mender jush, Sali Këllirë Berishën, që t’i kërkojë falje ndonjërit nga 10 mijë viktimave të qenefit të gojës së tij?
Mendohuni pak! Kurrë nuk e ka bërë, përveçse në një rast. S’ka lënë burrë, grua, vajzë, baba, nënë, vëlla, motër, xhaxha, hallë, dajë, krushk, gjysh, nip, pa rrotulluar në atë halenë e gojës së tij ai kurrizo burrë, për kë i ka dalë apo i kanë nxjerrë përpara, por kurrë s’ka thënë gabova.
Tani imagjinojeni:
Ols Dados i ka kërkuar falje me zë e me figurë! E kërdisi njëherë për t’ia kujtuar se kush është tutori i Violinës dhe pastaj e përkëdheli me një ndjesë publike përpara se të ma lëshonte mua në kurriz, si ata pitbullët që bëjnë lajm me kafshimet e tyre.
Jam sot I VETMI politikan që ka kaluar në labirinthin ilegal të një VETINGU 20 vjeçar. Kam dalë nga labirinthi pa ASNJË shkelje për të përligjur burgun pa gjyq, duke më ndërprerë me dorën e një maniaku dhe thikën e një kasapi kontratën me zgjedhësit.
20 vjet VETING – asnjë biletë, asnjë hotel, asnjë apartament, madje asnjë drekë e darkë, që dikush të ketë paguar për mua në detyrë.
ASNJË! ZERO! NADA! NICHTS!
Ndaj, ju që më doni e më besoni, kur shikoni në televizor lloj-lloj gjithollogësh, kujtohuni që këta “inkuizitorë nga divani” nuk do t’i bënin dot ballë as Vetingut të 24 orëve të fundit, le më të 20 viteve, siç m’u bë mua nga mosha 24 në 44 vjeç.
Shumica nuk justifikojnë as orën që kanë në dorë (madje më kujtohet njëri, nga më të zellshmit, që i binte në tv familjes së një “krimineli” që i kishte falur një orë) se lëri të tjerat, pasuri e vënë me deklarim të rremë rroge e me gjoba portalesh! Po s’kemi ç’bëjmë, kur as bëhet fjalë të kenë bërë një nga mijëra punët e mia për Tiranën, xhanëm të qe për ta, vazhdonin rrinin me Rolex mbi bajgat e Tiranës mesjetare!
Por, pas marrëzive për lodra fëmijësh e shtëpi fakirësh në katunde, kam prapë!
Vjehrri im i ndjerë, Arben Jakov Xoxa, kishte dje 6-vjetorin e ndarjes nga jeta. Ai qe profesor, sipërmarrës, botues dhe gjahtar i apasionuar – dhe kjo, trashëguar nga i ati, shkrimtari Jakov Xoxa. Madje, qejfmbetjen e fundit me mua e kish pse qeveria jonë vendosi moratorium për gjuetinë; kush e ndan këtë pasion e kupton.
Por, në vend ta kujtonim buzagaz, Ols Violina, që njësoj si tutori i tij Sali Fundërrina, përdhunon të gjallë e të vdekur, më kërkon llogari për një makinë të cilën vjehrri e bleu para vdekjes, e që një nip i tij e paskësh shitur, pas vdekjes së tij, në portale të llojit “merr e jep” apo “shit e bli”!
Pra, vjehrri, i cili ka 6 vjet që ka vdekur, ka gjetur një makinë okazion në Gjermani dhe e ka blerë. Më pas ia ka shitur të nipit. Ky e ka rishitur në Shqipëri. Blerësi i makinës nga nipi i vjehrrit e paska shitur gjithashtu më vonë. Dhe këtu, unë paskam pastruar paratë e korrupsionit në bashki!!!
Ju betohem, nuk tallem! Eshtë për të ulëritur, po është kështu, sipas Ols Dados.
Unë kam 7 daja, 2 xhaxhallarë, 3 halla dhe nja 25 kushërinj të parë. Asnjë prej tyre as ka hyrë në Bashkinë e Tiranës në këto 10 vite dhe unë as nuk di për këta të mitë sa nipa e mbesa kanë, ku jetojnë, e ç’makina ngasin. Si mund ta di për nipat e mbesat e vjehrrit?
Nuk jam as “Xhixh Merimonga” – gomistieri ikonik i humorit – që të di çfarë llaskash, disqesh, apo marmitash ia shtojnë vlerën një makine.
Pronari i parë i makinës është në varrezat e Tufinës prej 6 vitesh – i kam thënë Olsit, le të vejë ta pyesë aty. Saliu ka eksperiencë zhvarrimesh. T’ia bëjë këtë nder pitbullit të tij. Unë vetë kam lëvizur me biçikletë, jo Range të kuq si Ols kingu, një rraqexhi vanitoz, pesanjos dhe karagjoz.
Ndaj, edhe njëherë, për të gjithë ata që “bezdisen” nga gjuha ime. Ju lus të kuptoni që jam në burg, me një letër anonime, një prokuror hajvan dhe një gjykatës taleban. Ata kanë edhe gurin, edhe arrën, edhe rrjetin e gojëve të ndyra të mëngjes-drekë-darkës.
Por, mjaft të shihni vendimin më të freskët të Strasburgut për paraburgimin pa gjyq, për të kuptuar që busulla na duhet drejt Europës, e jo drejt kënetës së Sali Bufit, Ols akrepit dhe Ban nepërkës.
Shëndet e jetë!