Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka njoftuar se Nisma për Drithërat në Detin e Zi – që mundëson eksportimin e drithërave ukrainase përmes porteve të shtetit në Detin e Zi – është zgjatur edhe për dy muaj të tjerë.
Njoftimi i Erdoganit më 17 maj erdhi mes kërcënimeve nga Rusia se do të tërhiqej nga marrëveshja nëse nuk largoheshin pengesat e vendosura ndaj eksporteve të saj të drithërave dhe plehrave artificiale. Njoftimin për marrëveshjen Erdogan e bëri gjatë një fjalimi para anëtarëve të partisë së tij, AK, pasi anija e fundit u largua nga portet ukrainase, në bazë të marrëveshjes për drithërat.
Anija DSM Capella u largua nga porti në Çornomorsk me 30.000 tonë grurë dhe u nis drejt Turqisë, sipas të dhënave që publikuan Kombet e Bashkuara.
Pakti, që lejon eksportin e sigurt të drithërave ukrainase nga portet në Detin e Zi, ishte arritur me ndërmjetësimin e Turqisë dhe OKB-së në korrik të vitit të kaluar dhe që atëherë është zgjatur dy herë. Në mars, Moska tha se zgjatja e fundit u bë për 60 ditë, deri më 18 maj, dhe kërcënoi se do të largohej nga marrëveshja nëse nuk plotësoheshin kushtet e saj sa i përket eksporteve bujqësore ruse.
Ukraina mirëpriti zgjatjen e marrëveshjes dhe shtoi se ky pakt duhet të funksionojë në mënyrë efektive