Analiza “Synimet destabilizuese të Serbisë në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor”, autori i secilës qëndron vetë kryeakademiku Mehmet Kraja, u përcoll – me të drejtë – me kritika e akuza nga publiku kosovar.
E njëjta analizë bëri që seksioni i Shkencave Shoqërore i ASHAK të dalë kundër Krajës.
Ata janë distancuar nga opinioni “Synimet destabilizuese të Serbisë në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor”.
Sipas tyre, Mehmet Kraja nuk ka qenë i autorizuar për publikimin, ku denoncohet ish-presidenti Hashim Thaçi si “planifikator” për ndarje të Kosovës, si dhe kryeministri shqiptar Edi Rama.
Megjithatë, në mes shumë figurave publike, tash së fundmi ka reaguar edhe ish ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani.
Profesori Hasani në një opinion për Gazetën Express, bëri një shkrim bukur të gjatë kushtuar analizës së Krajës, i cili shpërfaqi objektivitetin e këtij teksti, e që u publikua në ueb-faqen e AShAK-ut.
Sipas Hasanit, kryeakademiku Kraja ka përpunuar aktakuzën kundër ish-presidentit Hashim Thaçi, i cili gjendet në burgun e Hagës, si i akuzuar për krime lufte, shkruan Paparaci.
Ai shkroi se “pasi konstaton se Hashim Thaçi akuzohet për kohën e të a.q. Qeveri e Përkohshme në Kosovë, që nuk është e saktë sipas aktakuzës kundër tij, Mehmeti nis e përpunon vet aktakuzën.”
“Për ata që nuk e dinë sikur Mehmeti, ata në Hagë akuzohen për ndërmarrje të përbashkët kriminale, element i qenësishëm i së cilës është vazhdimësia e veprimtarisë kriminale të të akuzuarve”.
“Kjo do të thotë se cilësimi i Hashim Thaçit si autoritar dhe si lider efektiv i një strukture qeveritare që nuk njihet ndërkombëtarisht, nënkupton konfirmimin e elementit qenësor të veprës penale për të cilën ai dhe të tjerët akuzohen”, tregon Hasani.
Për Hasanin, teksti i Krajës është i varfër, metodologjikisht i sakatosur, pa qoftë edhe një pyetje të vetme hulumtuese. Ai shpjegoi se i njëjti tekst kur u publikua në fillim nuk pati as emër, as vulë të institucionit, duke lënë dyshime në origjinalitetin e tij.
“Mehmeti, qartë shihet që synon të dalë nga vetizolimi i shkaktuar si rrjedhojë e trenedeve aktuale civilizuese, që tregon edhe reagimi tij ditë më parë ndaj emsionit “Big Brother” në një mënyrë tërësisht anti-civilizuese, i motivuar nga kushtet objektive të lidhura me formimin e tij intelektual të mangët e të limituar kulturalisht, në një segment të papërfillshëm të botës shqiptare”.
Për më tepër, Hasani theksoi se “në mungesë të tyre, teksti është i mbushur me pasaktësi shkencore dhe paragjykime subjektive deri në inkriminim shtesë të atyre që sot janë në Hagë duke u gjykuar, me ose pa të drejtë”.
“Në këtë përpjekje serbe, Mehmeti fajëson Evropën e krishterë dhe një segment të shoqërisë kosovare që ka oreintim të fuqishëm islamik dhe që mbështet Ankaranë. Narracioni që sheh Evropën e krishterë si fajtor për tragjeditë tona i takon versionit komunist të historisë, që në Kosovë është bartur përmes Tiranës komuniste dhe kjo gjë nuk përbën risi”.
Me sa duket, Kraja sipas Hasanit, ka dashur të dalë nga izolimi i trendeve globalizuese që po sillen rreth nesh, dhe të tërheq vëmendjen rreth këtij izolimi , me shpresë se do të hapet një debat me të në qendër të vëmendjes.
“Këto motive do të kishin arritur një cak të dëshiruar nga Mehmeti sikur eseja e tij të ishte ndërtuar në të dhëna të sakta shkencore që mund të operacionalizohen dhe mobiliziohen për shpjegimin e gjendjes së sotme në vend dhe rajon. Nëse Kisha Serbe është e tillë çfarë është, nuk ndihmon asgjë për të shpjeguar pse serbët në veri janë rebeluar; nëse memorandumet serbe për shfarosje të shqiptarëve kanë qenë raciste, nuk shpjegojnë asgjë pse serbët kërkojnë asociacion dhe autonomi në veri; nëse Edi Rama ka miqësi me Vuçiqin dhe nëse ky Vuçiqi është njëjtë si Millosheviqi, nuk shpjegon aspak faktin se përse i njëjti nuk mobilizon forcat ushtarake për të hyrë në Kosovë”, vështroi Hasani.
Siç potencon Hasani, krejt çfarë ka arritur Kraja, me këtë ese është ajo që ai vetë e pat thënë me një rast, kur e rrokën përpara mediet dhe publiku për mangësitë e një prodhimi të ASHAK-ut: “Akademia nuk mund të jetë më ndryshe se populli ku gjendet!”.