Nga 1 shkurti do të hyjë në fuqi Ligji i Pagave.
Por as katër ditë para, ende nga Qeveria e Kosovës nuk është bërë i ditur koeficienti sipas së cilit do të rriten pagat.
Për Sead Ujkanin, ligjërues në Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Prishtinës, ekzekutivi është dashur të menaxhojë më mirë me këtë proces.
“Shuma e koeficientit është dashur të dihet kur është miratuar buxheti. Buxheti po miratohet në periudhën e duhur dhe njëkohësisht qeveria ka pasur kohën e nevojshme për ta përcaktuar koeficientin”, është shprehur Ujkani në emisionin “Portofol”.
“Rritja e pagave është çështje që nuk është më në kontekst diskutimesh, por duhet të mendohet sa do të jetë përqindja e rritjes. Janë tejkaluar të gjitha limitet kohore. Ajo që do të duhej të ishte e aplikueshme që kishte një rritje pagash me normën e inflacionit”.
“Një koeficient 125 deri në 130 do të ishte një arsyeshmëri”, ka theksuar ai.
Lidhur me çështjen e tarifës për tatimin në pronë, Ujkani, ka thënë se gjithashtu qeveria është dashur ta menaxhonte më mirë.
Ai opsionin për një lirim prej 100 euro për vitin 2023 e quan si të vonshëm.
“Qasja reaktive të aplikimit të ndonjë zbritjeje, është e vonuar”.