Ben Emmerson, avokat kryesor i Kadri Veselit ka marrë sot fjalën, në ditën e dytë të gjykimin ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së.
Një ditë më parë, Zyra e Prokurorit të Specializuar i ka shpalosur akuzat e saj ndaj krerëve të UÇK-së, që akuzohen si “ndërmarrje e përbashkët kriminale”. Aty janë përmendur edhe qëndra të ndalimit, ku, sipas Prokurorisë, janë ndaluar dhe keqtrajtuar e torturuar njerëz nga UÇK-ja. Emmerson në një pjesë të fjalës së tij është fokusuar te përmendja e fshatit Jabllanicë si pikë e ndalimit në Dukagjin.
Pyetja e Emmersonit ishte se si mund ta lidhë Prokuroria Veselin me atë që është bërë në Jabllanicë, e cila ishte nën kontrollin e Lahi Brahimajt, që u dënua nga Tribunali Ndërkombëtar i Hagës.
“Jabllanica është një fshat i vogël në pjesën perëndimore të Kosovës, që është shqyrtuar gjerësisht edhe në cështjën Haradinaj. Është një vend ku dihet se një numër individësh janë mbajtur të ndaluar dhe janë keqtrajtuar rëndë dhe ka gjasë se më shumë se një person të ketë humbur jetën. Ajo që Prokuroria nuk bën dhe nuk mund të bëjë është se z. Veseli ka qenë në ndonjë moment i përfshirë në këtë ngjarje, apo që ka pasur dijeni lidhur me ndalimin e ndonjë personi në Jabllanicë në çdo moment kohor, apo që të ketë qenë i pranishëm fizikisht në fshat, në momentet kur ka pasur persona të ndaluar atje”, ka thënë Emmerson.
Sipas avokatit të Veselit, Tribunali në Hagë nuk e kishte lidhur me krimet e kryera në Jabllanicë as Haradinajn që ishte gjykuar dy herë në Hagë si komandant i Zonës Operative të Dukagjinit.
“Është shumë e rëndësishme që ta kemi parasysh se komandanti i Jabllanicës ishte një person që quhej Lahi Brahimaj. Z. Brahimaj është dënuar nga Tribunali i Hagës në cështjen Haradinaj dhe është dënuar me burgim për krimet e keqtrajtimit, dhunës, torturës e kështu me radhë që ai dhe vartësit e tij të drejtpërdrejtë kishin kryer kundër disa personave që ishin të burgosur. Kushëriri i z. Brahimaj ishte Ramush Haradinaj. Dhe, Ramush Haradinaj ishte komandant i Zonës së Dukagjinit, asokohe. Për rrjedhojë ishte edhe oficer përgjegjës, dhe ishte përgjegjës për Lahi Brahimajn dhe enklavën e Jabllanicës. E vizitonte herë pas here Jabllanicën dhe Lahi Brahimaj ishte nën vartësinë e tij, ishte vartës së tij”, ka thënë tutje ai.
“Sidoqoftë u bënë dy trupa gjykues dhe konstatuan se z. Haradinaj nuk ishte pjesë e një ndërmarrjen të përbashkët kriminale me Lahi Brahimajn, që ndalonte dhe keqtrajtonte të burgosurit. Sidoqoftë, sic tha edhe z. Misetiq [avokati i Thaçit] Prokuroria mbështetet në të njëjta akte keqpërdorimi nga z. Brahimaj dhe burrat e tij pa marrë parasysh konstatimet e Tribunalit, Prokuroria tani pretendon se për shkak të faktit se z. Veseli ka qenë anëtar i Shtabit të Përgjithshëm, ai duhet të jetë përgjegjës për krimet që ka kryer z. Brahimaj. Megjithatë, aktgjykimi i Haradinajt, flasim për gjykimin e dytë, ishte që, ndërmarrja kriminale ishte vetëm për anëtarët e UÇK-së që ishin vartës të z. Brahimaj. Nuk ishte një ndërmarrje kriminale që shtrihet për të gjithë komandantët e zonave. Tani, pikëpyetja është: A mund të shtrihet kjo për z. Veseli, vetëm pse ishte anëtar i Shtabit i Përgjithshëm, pa pasur asnjë provë, asgjë të ngjashme”, tha avokati i Veselit.