Qeveria në mbledhjen e saj të fundit ka marrë vendim që të emëroj bordet e drejtorëve të ndërmarrjes Trepça dhe Korporata Energjetike e Kosovës.
Kryesues i Bordit të Trepçës është emëruar Bahri Hyseni, Ibrahim Krasniqi – anëtar, Muharrem Peci – anëtar, Bujar Bilalli – anëtar dhe Xhevdet Tahiri – anëtar.
“Konkursi për Bordin Mbikëqyrës të Trepça SH. A., e shpallur nga Zyra e Kryeministrit kanë aplikuar 57 kandidatë. Pas shqyrtimit të aplikacioneve, Komisioni përkatës ka përzgjedhur listën e ngushtë në 19 kandidatë. Për anëtarë të Bordit të Trepçës propozoj që të emërohen këta pesë kandidatë: Bahri Hyseni, kryesues; Ibrahim Krasniqi, anëtar; Muharrem Peci, anëtar; Bujar Bilalli, anëtar; dhe Xhevdet Tahiri, anëtar. Mandati i tyre zgjat katër vjet”, tha kryeministri Albin Kurti, përcjell Telegrafi.
Për Bordin e KEK-ut, Kurti tha se kanë aplikuar 72 kandidatë, teksa tha se Komisioni ka përzgjedhur pesë anëtarë.
Ndërsa, për Bord të KEK-ut, është emëruar Skënder Haziri – kryesues. Merita Kasapolli – anëtare, Berzat Halili – anëtar, Valbona Raifi Deshishku – anëtare, Mustafa Pllana – anëtar dhe Valdrin Krasniqi – anëtar.
“Aktualisht i kemi 10 ndërmarrje me borde të përkohshme për të cilat do të ketë konkurs të rregullt të rekrutimit. Për secilën do të ketë thirrje dhe i ftoj profesionistët që t’i përcjellin konkurse tona dhe t’i përgjigjen atyre”, ka shtuar ai.