Pas detajeve absolutisht tronditëse që shpaloi biznesmeni shqiptar në Gjermani, Ndue Gjinaj, në një intervistë për Nacionalen, ku siç thotë ai, “njeriu i Kurtit” Ridvan Muharremi, i ka kërkuar atij “dëshmitarë katolikë” për të dëshmuar kundër ish-Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit, në Dhomat e Specializuara por edhe se si, siç thotë Gjinaj, ka kërkuar eliminimin/vrasjen e një figureje politike të Partisë Demokratike të Kosovës, ka reaguar edhe Shefi i Grupit Parlamentar të kësaj partie, Abelard Tahiri, i cili ka bërë thirrje me urgjencë që Prokuroria Speciale e Kosovës të hetojë të vërtetën e këtyre pretendimeve.
Reagimi i Tahirit:
Pra, në emër të “sekretit shtetëror”, 10 milion euro të taksapaguesve, i lihen në dorë një super matrapazi e zhvatësi kriminal, i cili, pasqyron më mirë se çdo gjë tjetër, korrupsionin e kriminalitetin në errësirë të Albin Kurtit dhe qeverisë Zdravo.
Me para të qytetarëve të Kosovës, qeveria Zdravo ka bërë tregti me vaj, tregti me drithë, tregti me armë, tregti me rrymë, e për t’i mbuluar të gjitha këto, paska dashur të bëjë tregti edhe me nderin e pastërtinë e luftës së lavdishme të UÇK-së, duke dashur të blejë edhe dëshmitarë të rrejshëm.
Për me tepër, për ta ushtruar korrupsionin e hajninë pa pengesë, paskan porositur edhe zhdukjen e një politikani të PDK-së. Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, me urgjencë duhet të veprojë për ta zbardhur të vërtetën e këtyre pretendimeve, sepse ato nuk përfaqësojnë më vetëm korrupsionin enorm në të cilin është zhytur Zdravo qeveria, por edhe rrezikun që i kanoset lirisë, demokracisë e kombit tonë nga mentaliteti zhvatës e shkatërrimtar i Albin Kurtit me shokë.