Eksperti amerikan për Ballkanin Perëndimor, Alon Ben Meir ka thënë sot se, Kosova nuk mund të përballojë ikjen e trurit.
Ben Meir tha se shpallja e pavarësisë nuk ka bindur mijëra të rinj kosovarë të qëndrojnë në vend, pasi po kërkojnë një perspektivë më të mirë jashtë vendit.
“Thjesht, shpallja e pavarësisë nuk ka bindur mijëra të rinj kosovarë të qëndrojnë në vend, pasi ata kanë kërkuar mënyra për të gjetur mundësi më të mira pune dhe një perspektivë më të ndritur jashtë vendit të tyre. Kosova nuk mund të përballojë ikjen e trurit”, ka shkruar Ben Meir në Twitter, transmeton Zeri.info.
Në anën tjetër kryeministri i vendit Albin Kurti, ka thënë sot në seancë të Kuvendit se largimi i të rinjve s’po ndodh se s’ka vende pune, por s’po gjejnë punë në profesionet e tyre.
“Të gjithë ne e ndajmë shqetësimin për këtë emigrim në kohë paqeje në vitin e 15-të të Kosovës së pavarur, por do të kisha theksuar që përveçse papunësia që është problem tejet i madh në Kosovë, është problem i madh edhe pamundësia e punësimit në profesion, një numër i konsiderueshëm i të rinjve tanë që po migrojnë nuk është se nuk kanë vend pune, por nuk kanë vend pune në profesionet e tyre”, ka thënë Kurti