Në tri ditët e fundit, Kosova ka përjetuar katër vrasje, përfshirë një vetëvrasje, duke shkaktuar shqetësim në opinion. Ekspertët e sigurisë kanë theksuar se, përkundër këtyre ngjarjeve tragjike, situata e sigurisë në vend mbetet e qëndrueshme.
Fatmir Çollaku, profesor i kriminalistikës, ka theksuar se “gjendja e sigurisë në Kosovë është stabile dhe më e qëndrueshme se në shumë shtete të tjera të rajonit”.
Çollaku ka përmendur se në vitin 2023 ka pasur 29 vrasje, ndërsa në vitin 2024 janë regjistruar vetëm 17 vrasje, duke e vlerësuar këtë si një “rënie drastike” të numrit të vrasjeve.
Sipas tij, viti 2024 është “viti me më pak vrasje pas luftës në Kosovë”, që do të thotë se “trendi i vrasjeve si dukuri dhe kategori e veprave penale është në rënie”.
Ai ka shtuar se ndjeshmëria e qytetarëve ndaj vrasjeve është e natyrshme dhe e kuptueshme, por ka kritikuar “komentimet pa baza dhe histerinë që artikulohet, sidomos nga liderët politikë”, duke theksuar se kjo është “pa nevojë”.
Çollaku ka thënë se “sistemi i sigurisë funksionon mirë” dhe se “policia bën punën e saj”, ndërsa “sistemi i drejtësisë ka mandatin dhe detyrat e tij”.
Ai po ashtu ka theksuar se, pavarësisht ndonjë rasti të izoluar, “sistemi i sigurisë dhe i drejtësisë janë funksionale”, dhe se, megjithëse shqetësimi i qytetarëve është i pranueshëm, “Kosova mbetet vend i sigurt”.